Ministria e Brendshme e Italisë ka vendosur forcimin e masave të sigurisë për dy zëvendëskryeministrat e vendit, Antonio Tajani dhe Matteo Salvini.
Vendimi vjen pas një qarkoreje të pak ditëve më parë, ku kërkohej “rishikimi dhe forcimi i masave të mbrojtjes për individët me nivele të larta rreziku”. Burime qeveritare i thanë agjencisë Ansa se vendimi u mor në një takim të zhvilluar sot në Prefekturën e Romës, ku u diskutua për mbrojtjen e disa figurave të larta shtetërore e politike.
Sipas gazetës Il Messaggero, niveli i ri i sigurisë parashikon përdorimin e dy deri në tre automjeteve blinduara me nga tre agjentë sigurie secila, duke e çuar mbrojtjen në një nivel “ekstrem”.
Ndërkohë, për kryeministren Giorgia Meloni nuk është rritur niveli i mbrojtjes, pasi konsiderohet ende i mjaftueshëm. Kujtojmë se Meloni, Tajani dhe Salvini kishin zgjedhur fillimisht një protokoll sigurie të nivelit të dytë kur morën detyrën, por pas vrasjes së aktivistit republikan Charlie Kirk në SHBA, autoritetet italiane e kanë vlerësuar këtë mbrojtje si të pamjaftueshme.