Mansoureh Khojasteh, bashkëshortja e udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei, ka ndërruar jetë tre ditë pasi kishte rënë në koma si pasojë e plagëve të marra gjatë sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite, raportoi media Iran International. 78-vjeçarja mbeti e plagosur në të njëjtin sulm ku Khamenei humbi jetën menjëherë.
Zhvillimet vijnë në një moment përshkallëzimi të fortë të konfliktit mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Sipas shoqatës humanitare Gjysmëhëna e Kuqe iraniane, që nga nisja e ofensivës ajrore janë vrarë 555 persona në mbarë territorin iranian.
Ndërkohë, një zyrtar izraelit në Tel Aviv është shprehur se operacioni kundër Iranit “po ecën më shpejt nga sa ishte parashikuar”, duke shtuar se për Teheranin “së shpejti do të jetë fundi i lojës”. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se janë goditur “qindra” objektiva, ndërsa raportime të medias amerikane flasin për rreth dy mijë shënjestra të sulmuara.
Trump ka theksuar se operacioni ushtarak amerikan kundër Iranit mund të zgjasë “katër javë ose më pak”, duke paralajmëruar një kundërpërgjigje edhe më të ashpër ndaj Teheranit. Kjo deklaratë erdhi pasi tre ushtarakë amerikanë u vranë gjatë Operacionit “Epic Fury”, ndërsa pesë të tjerë mbeten të plagosur.
Nga ana tjetër, edhe Izraeli vijon të jetë nën sulm. Një raketë iraniane goditi një pallat banimi, duke shkaktuar nëntë viktima. Sirenat e alarmit u dëgjuan gjithashtu në veri të vendit për shkak të një sulmi me raketa të dyshuar nga Libani, i atribuar grupit Hezbollah.
Irani ka pretenduar se ka goditur edhe zyrën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, por deri më tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga autoritetet izraelite për këtë pretendim.
