Një shtetas nga Istogu i Kosovës është arrestuar në Kralevë të Serbisë nën dyshimin për spiunazh, ndërsa ngjarja ka rikthyer në vëmendje hetimet për një lokacion të dyshuar si varrezë masive në Zubin Potok.

I arrestuari me inicialet R.T., i lindur në vitin 1980, është ndaluar nga autoritetet serbe dhe Gjykata e Lartë në Kralevë ka caktuar ndaj tij masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pas marrjes në pyetje nga Prokuroria e Lartë Publike.

Deri tani, institucionet kryesore të sigurisë dhe drejtësisë në Serbi nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar për arrestimin. Ministria e Brendshme e Serbisë, Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit dhe Prokuroria e Lartë në Kralevë nuk kanë reaguar për rastin.

Sipas mediave serbe, R.T. dyshohet se ka bashkëpunuar për një periudhë të gjatë me një shërbim informativ në Kosovë dhe se ka mbledhur të dhëna për pjesëtarë të ushtrisë, policisë dhe strukturave të sigurisë së Serbisë.

Arrestimi është kryer pak ditë pasi në Kalludër të Vogël, në Zubin Potok, nisën gërmimet në një zonë të dyshuar si varrezë masive. Gjatë punimeve, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, janë gjetur mbetje mortore me origjinë njerëzore, të cilat do t’i nënshtrohen analizave të ADN-së për identifikimin e viktimave.

Institucionet kosovare dyshojnë se në këtë lokacion mund të jenë varrosur 23 civilë shqiptarë nga Mitrovica, mes tyre mjekë, profesorë dhe avokatë, të zhdukur gjatë luftës në vitin 1999.

Ministri në detyrë për Çështjet e Personave të Zhdukur, Andin Hoti, e ka lidhur arrestimin me procesin e zbardhjes së fatit të të zhdukurve, duke pretenduar se personi i ndaluar ka pasur rol në sigurimin e informacionit për lokacionin e dyshuar.

Megjithatë, ende nuk ka konfirmim zyrtar nëse shtetasi i arrestuar në Serbi është i njëjti person që më herët ka dhënë dëshmi për këtë çështje para hetuesve të UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe ai në Serbi kanë deklaruar se informacioni për një varrezë të mundshme masive në Kalludër të Vogël është verifikuar për më shumë se dy dekada.