Eric Trump ka publikuar pamjet e një versioni të posaçëm të pasaportës amerikane, të përgatitur në kuadër të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Dokumenti përmban në faqet e tij një portret të madh të presidentit Donald Trump.

Në një video të shpërndarë më 2 shtator në platformën X, djali 42-vjeçar i presidentit tregoi momentin kur hapi zarfin e mbërritur me postë dhe prezantoi pasaportën e re për ndjekësit.

“Shikoni se çfarë sapo mora. Është një pasaportë e re”, dëgjohet të thotë ai teksa shfleton dokumentin. Eric Trump shprehu menjëherë pëlqimin për pamjen e tij, duke e cilësuar si “të mrekullueshme”.

Në faqen përkujtimore është përfshirë një ilustrim ku Donald Trump paraqitet i përkulur lehtë përpara, me duart të vendosura mbi një tavolinë. Sipër portretit ndodhet firma e tij, ndërsa poshtë lexohet mbishkrimi “United States of America”.

Imazhi është realizuar duke u bazuar në fotografinë zyrtare të Trump që ndodhet në Galerinë Kombëtare të Portreteve të Institutit Smithsonian në Uashington.

Ky edicion i kufizuar u bë i ditur fillimisht në muajin prill, si pjesë e aktiviteteve kushtuar 250-vjetorit të pavarësisë amerikane. Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se vetëm një numër i caktuar pasaportash do të prodhohen me këtë paraqitje të veçantë.

Pavarësisht elementeve të reja grafike dhe imazheve të personalizuara, dokumentet do të kenë të njëjtat standarde sigurie si pasaportat e zakonshme. Autoritetet kanë bërë të ditur gjithashtu se aplikantët nuk do të paguajnë më shumë sesa tarifa e përcaktuar për versionin standard.

Pamja përfundimtare ndryshon nga projekti i publikuar në fazën e parë. Në qershor, Donald Trump prezantoi në Truth Social një variant tjetër të dizajnit, të shoqëruar me mesazhin: “Mirë se vini, por silluni mirë!”. Ndryshim ka pësuar edhe ngjyra e firmës presidenciale, e cila nga e artë është bërë e zezë.

Pasaporta përkujtimore është vetëm një prej dokumenteve që do të mbajnë portretin e Trump gjatë festimeve të përvjetorit. Departamenti amerikan i Brendshëm ka njoftuar se fotografia e presidentit do të vendoset edhe në lejet vjetore të hyrjes në parqet kombëtare.

Karta “America the Beautiful”, e rezervuar për qytetarët dhe banorët e SHBA-së, është përshtatur gjithashtu me tematikën e 250-vjetorit, duke përfshirë portretet e Donald Trump dhe presidentit të parë amerikan, George Washington.