Pasojat në tregjet ndërkombëtare kanë nisur të ndihen mes vazhdimit të sulmeve të Iranit, si kundërpërgjigje ndaj ofensivës së SHBA-së dhe Izraelit këtë fundjavë.
Çmimet globale të naftës dhe gazit kanë pësuar rritje, pohon BBC. Nafta Brent, që është dhe referenca për kuotimin e naftës, u rrit me 10%, duke arritur mbi 82 dollarë për fuçi mëngjesin e sotëm.
Irani i ka paralajmëruar anijet që të mos kalojnë në ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës transportohet gati 20% e naftës dhe gazit së të gjithë botës. Lëvizjet në hyrje të kësaj ngushtice janë ndaluar thuajse krejtësisht, dhe analistët po paralajmërojnë se një konflikt i zgjatur mund të rrisë më tej çmimet e energjisë. Në Londër, indeksi FTSE 100 u çel pothuajse 1% më poshtë, ndërsa aksionet e kompanive ajrore ranë pas mbylljes së hapësirës ajrore në të gjithë Lindjen e Mesme. Megjithatë, ekspertët ende nuk flasin për panik në tregje.
Saul Kavonic, drejtues i kërkimeve për energjinë në MST Marquee, i tha BBC-së se deri tani, duket se “ infrastruktura e transportit dhe prodhimit të naftës nuk ka qenë objektivi kryesor nga asnjëra pale”. “Tregu po pret sinjalet që trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit t`i kthehet normalitetit, çka do të ulë përsëri çmimet e naftës,” u shpreh ai. Megjithatë, disa analistë paralajmërojnë se çmimet mund të kapërcejnë 100 dollarë për fuçi në rast të një konflikti të zgjatur, duke ndikuar kështu tek inflacioni dhe normat e interesit. Robin Mills, shef ekzekutiv në konsultancën Qamar Energy në Dubai, theksoi megjithatë se për momentin, çmimet e naftës nuk janë veçanërisht të larta, ato ende janë nën nivelin e dy viteve më parë, kështu që pohoi ai, nuk jemi ende në një krizë të plotë nafte.”
Të dielën, grupi OPEC+ vendosi të rrisë prodhimin me 206,000 fuçi në ditë për të zbutur rritjet e mundshme të çmimeve, edhe pse disa ekspertë dyshojnë se nëse kjo do të ndihmojë shumë.
