Në Poloni, sistemi gjyqësor duhet të rifitojë pavarësinë. Presidenti i krahut të djathtë nacional Nawrocki kundërshton përpjekjet e qeverisë në këtë drejtim. Ai ka refuzuar emërimin e 46 gjyqtarëve.
Presidenti i krahut të djathtë nacionali PolonisëKarol Nawrocki ka bllokuar emërimin e 46 gjyqtarëve duke mos dhënë pëlqimin e tij. Në një postim në X, ai akuzoi juristët e emëruar nga qeveria liberale se po vënë në pikëpyetje sistemin ligjor dhe kushtetues polak dhe se po i kushtojnë vëmendje “këshillave të këqija nga Ministri i Drejtësisë”. “Nëse emërimi është prerogativë e Presidentit, ai gjithashtu mund ta refuzojë atë”, shkroi Nawrocki.
Arsyeja për refuzimin e tij është konflikti me Ministrin e Drejtësisë, Waldemar Žurek. Žureku po përpiqet të përmbysë ndryshimet në sistemin gjyqësor polak të prezantuara nga qeveria e mëparshme e krahut të djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS). Gjatë mandatit të tij, një Këshill i ri Kombëtar i Gjyqësorit emëroi më shumë se 3000 gjyqtarë politikisht besnikë.
Prandaj, Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) ishte përfshirë në një konflikt të përhershëm me Bashkimin Evropian, pasi Brukseli konsideronte se pavarësia e gjyqësorit po rrezikohej. BE i kishte vënë vazhdimisht kushte Polonisë për të garantuar këtë pavarësi. Nawrocki, kritik i BE-së, nuk është anëtar i PiS, por i pavarur, megjithatë kundërshton reformën e PiS.
Në emër të qeverisë, zëdhënësi Adam Szlapka deklaroi se, me refuzimin e tij, Nawrocki po tejkalonte autoritetin e tij. Ish-presidenti i Gjykatës Kushtetuese Polake, Andrzej Zoll, shpjegoi gjithashtu se emërimi i gjyqtarëve nga kreu i shtetit është një formalitet. Ai nuk ka të drejtë të shqyrtojë emërimet, tha Zoll për portalin e lajmeve Onet.
Ministri i Drejtësisë Žurek reagoi gjithashtu: “Deklaratat e Presidentit dhe bashkëpunëtorëve të tij nuk janë shenjë e mirë dhe sugjerojnë se Presidenti dëshiron të marrë pushtetin që nuk i përket atij.”/DW
