Tre biznesmenë të fuqishëm, dy amerikanë dhe një rus, janë takuar muajin e kaluar në Miami Beach, zyrtarisht për të diskutuar një plan paqeje për Ukrainën. Por sipas burimeve të Wall Street Journal, bisedimet kishin një objektiv shumë më të gjerë: krijimin e një kanali të fshehtë për rikthimin e ekonomisë ruse në sistemin global dhe sigurimin e rolit kryesor për kompanitë amerikane në projektet e ardhshme të investimeve.
Takimi është zhvilluar në rezidencën luksoze të miliarderit Steve Witkoff, i cili shërben edhe si i dërguar i posaçëm i qeverisë amerikane. Në hartimin e dokumentit ka kontribuar edhe Kirill Dmitriev, drejtues i fondit sovran të Rusisë dhe negociator i afërt me Vladimir Putinin. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump-it, i cili jeton në të njëjtën zonë elitare të Miami-t, të njohur si “Billionaire Bunker”.
Sipas burimeve, ideja përfshinte një plan të gjerë ekonomik për riintegrimin e ekonomisë ruse, me vlerë 2 trilionë dollarë, në tregjet ndërkombëtare. Dmitriev ka propozuar që rreth 300 miliardë dollarët e fondeve ruse të ngrira në Evropë të përdoren për projekte të përbashkëta SHBA–Rusi, si dhe për programin amerikan të rindërtimit të Ukrainës. Nuk përjashtohej as bashkëpunimi në Arktik apo një mision i përbashkët drejt Marsit me SpaceX të Elon Musk-ut.
Për Kremlinin, këto takime përbëjnë pjesën kryesore të një strategjie përpara inaugurimit presidencial të SHBA-së: anashkalimin e kanaleve tradicionale të sigurisë kombëtare dhe paraqitjen e Rusisë si mundësi ekonomike, jo si kërcënim ushtarak. Projekti synon të ripozicionojë ndikimin energjetik dhe minerar të Rusisë në Evropë dhe të thellojë hendekun mes SHBA-ve dhe aleatëve evropianë.
Dokumenti prej 28 pikësh ka shkaktuar reagime të forta në Evropë dhe Ukrainë, pasi shihet si një plan që favorizon Moskën dhe bie ndesh me vijat e kuqe të Kievit. Kryeministri polak Donald Tusk e ka përmbledhur me një deklaratë të drejtpërdrejtë: “Ky plan nuk është për paqe. Është për biznes.”
Gjithsesi, disa zyrtarë në Washington e shohin lidhjen e interesave ekonomike me diplomacinë si mundësi. Sipas një burimi, Rusia preferon kompanitë amerikane ndaj atyre evropiane, të cilat kanë “kritikuar me përçmim” iniciativat e paqes.
Kjo qasje shihet si përputhje me filozofinë e Donald Trump-it për marrëveshjet e mëdha ekonomike, që mund të paraqiten si fitore për SHBA-në. Ndërkohë, bashkëpunëtorë të ngushtë të Putinit – përfshirë Gennady Timchenko dhe vëllezërit Rotenberg – kanë dërguar përfaqësues të takohen fshehurazi me kompani amerikane, duke shqyrtuar projekte në energji, minerale dhe madje edhe ringjalljen e gazsjellësit Nord Stream 2.
Në sektorin energjetik, Exxon Mobil ka zhvilluar bisedime me Rosneft-in për një rikthim të mundshëm në projektin Sakhalin. Investitorë të tjerë amerikane po analizojnë blerjen e aseteve ruse që kanë marrë goditje nga sanksionet.
Në Shtëpinë e Bardhë, po mblidhen informacione nga Moska dhe Kievi për një plan paqeje, ndërsa është konfirmuar se Kushner dhe Witkoff janë takuar me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, dhe kanë folur me presidentin Volodymyr Zelensky. Megjithatë, disa agjenci amerikane nuk kanë qenë plotësisht të informuara për këto kontakte.
Raporti sugjeron se po krijohet një proces paralel, ku biznesmenë të fuqishëm po luajnë rol të drejtpërdrejtë në diplomaci, duke kërkuar të lidhin paqen me marrëveshje ekonomike. Witkoff e ka përshkruar misionin e tij shkurt: “Unë merrem me mbylljen e marrëveshjeve. Për këtë jam këtu. Do të vazhdojmë të trokasim dhe të propozojmë ide.”
