Afganistani dhe Pakistani kanë arritur marrëveshje për një armëpushim të përkohshëm të mërkurën pasdite, pas bombardimeve vdekjeprurëse dhe luftimeve tokësore që ngjallën frikë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve fqinje.

Pakistani kreu sulme ajrore në provincën jugore të Afganistanit, Kandahar, duke shkaktuar viktima të shumta.

Sipas banorëve të Kabulit, të cilët folën për Radion Azadi, shpërthime janë dëgjuar edhe në kryeqytetin afgan.

Pamje të paverifikuara në rrjetet sociale shfaqin re tymi që ngrihen në qiell mbi Kabul. Nuk është ende e qartë se çfarë i ka shkaktuar shpërthimet.

Luftimet tokësore shpërthyen gjithashtu përgjatë kufirit 2.600 kilometra të gjatë midis dy vendeve, duke lënë disa të vdekur nga të dyja palët.

Në një deklaratë më 15 tetor, Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se palët kanë arritur pajtueshmëri për një “armëpushim të përkohshëm për 48 orët e ardhshme”, duke filluar nga ora 6:00 e pasdites me orën lokale të Pakistanit.

Dhuna shpërtheu pas luftimet të ashpra mes luftëtarëve talibanë dhe forcave të sigurisë së Pakistanit më 11 dhe 12 tetor, duke lënë dhjetëra të vdekur dhe duke shkaktuar në mbylljen e kalimeve kryesore kufitare.

Këto ishin përleshjet më vdekjeprurëse ndonjëherë mes këtyre dy palëve.

Përplasjet kufitare ndodhën vetëm disa ditë pasi Pakistani kreu sulme me dronë në qendër të Kabulit, si dhe sulme ajrore në lindje të Afganistanit.