Pekin


Merkel, vizitë në Kinë. Në qendër të takimeve, çështjet ekonomike


Duket se Kina po bëhet gjithnjë e më atraktive për vendet perëndimore dhe konsiderohet, pse jo, edhe si rrugëdalje nga kriza. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, po qëndron për vizitë në Kinë, ku po zhvillohen këshillimet mes këtyre dy vendeve me potencial të madh ekonomik. Ndërkohë që është prekur edhe çështja e të drejtave të njeriut. Kryeministri i Kinës Wen Jiabao ka përshëndetur zhvillimin e raporteve ekonomike mes vendit të tij dhe Gjermanisë. “Përparime të mëdha janë bërë në bashkëpunimin ekonomik dhe gatishmërinë për investime”, theksoi Wen, gjatë një takimi me kancelaren Angela Merkel në Pekin. Kina po jep një kontribut të veçantë edhe për tejkalimin e krizës së borxheve në Europë. Kryeministri Wen Jiabao bëri të ditur se vendi i tij do të vazhdojë të investojë në blerjen e letrave me vlerë të vendeve në krizë. Në këtë drejtim, Kina do të ketë bashkëpunim të ngushtë me Bankën Qendrore Europiane dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjermania dhe Kina duan të mbështesin në mënyrë të veçantë edhe bankat dhe sipërmarrjet që merren me tregti dhe investime në këto dy vende. Kancelarja shoqërohet gjatë kësaj vizite nga shtatë ministra dhe shumë përfaqësues të koncerneve të mëdha. Pritet që gjatë vizitës të nënshkruhen edhe marrëveshje konkrete për bashkëpunim ekonomik dhe investime. Më konkretisht, pritet të nënshkruhen 13 marrëveshje për bashkëpunim në sektorin e energjisë, medicinës, hulumtimeve, ruajtjes së mjedisit dhe në sektorë të tjerë ekonomikë. Në një kumtesë të përbashkët, të dyja vendet kanë shprehur gatishmëri edhe për vazhdimin e dialogut për respektimin e të drejtave të njeriut dhe shtetit juridik. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, ka kërkuar edhe përmirësimin e kushteve për korrespondentët e huaj. Më parë korrespondentët gjermanë nga Pekini janë ankuar për punë në kushte të vështira dhe keqtrajtime nga organet kineze të sigurisë. Ndërkohë kërkohet nga Merkel që gjatë vizitës të interesohet edhe për të drejtat e njeriut në Kinë. 26 gazetarë gjermanë kanë kërkuar nga kancelarja Merkel që gjatë vizitës në Kinë të angazhohet për përmirësimin e kushteve të tyre. Ministria e Jashtme e Kinës ka hedhur poshtë kritikat e gazetarëve për kushte të rënda pune në këtë vend. Gazetarët e huaj janë të mirëseardhur në Kinë, por ata duhet të respektojnë ligjet e këtij vendi, shpjegon ministria. Tom Koenigs, kryetar i Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, në një intervistë për “Deutschlandfunk”, kërkon nga kancelarja që të trajtojë hapur këto çështje. Edhe vetë kancelarja Merkel, para katër vitesh pohonte se me partnerët e rëndësishëm duhet biseduar hapur. “Ne nuk mund të heshtim kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut. Por mund të them nga përvoja ime se gjërat nuk janë të thjeshta, kur çdo ditë duhet të merret ndonjë vendim”. Me vendet si Kina është shumë vështirë që të harmonizohet bashkëpunimi ekonomik dhe kritikat ndaj gjendjes së të drejtave të njeriut. Ky ka qenë problem edhe për qeveritë e kaluara në Gjermani. Por gjithmonë është thënë se të drejtat e njeriut duhet të respektohen. “Kjo është e vërtetë, sepse verbalisht thuhet se të drejtat e njeriut janë një nga parimet kryesore të politikës së jashtme. Angazhimi për të drejtat e njeriut është në interesin e vetë Gjermanisë. Kjo duhet theksuar gjithmonë. Duhet thënë se ne duam bashkëpunim ekonomik, por duam edhe dialog për respektimin e të drejtave të njeriut”, pohon Koenigs. Europa dhe në veçanti Gjermania llogariten si partnerë shumë të rëndësishëm ekonomikë të Kinës. Por Gjermania dhe Europa, sipas Koenigs, duhet të angazhohen për ruajtjen e vlerave që me mund janë arritur gjatë historisë. Fjala është për vlerat universale si të drejtat e njeriut. Për këto vlera, publikisht angazhohet edhe vetë Kina. Partnerët duhet të jenë të hapur mes vete dhe të flasin për temat që ndihmojnë forcimin e miqësisë dhe paqes. Kjo duhet të theksohet edhe nga kancelarja Merkel, mendon Koenigs. Por ai nuk është ftuar që të jetë pjesë e delegacionit gjerman që do të vizitojë Kinën. “Jo! Komisioni për të Drejtat e Njeriut nuk është konsultuar. Ne kemi dëgjuar për këtë vizitë vetëm gjërat që janë thënë publikisht në prag të vizitës së kancelares. Shpresoj se gjatë vizitës do të preken edhe këto çështje”, pohon Koenigs.