Pavarësisht krizës, qeveritë e ndryshme refuzojnë të hyjnë në konflikt me të moshuarit
Pensionet e bollshme të kombinuara me popullatën në plakje përbëjnë pengesën kryesore për zgjidhjen e krizës së deficiteve buxhetore dhe borxheve sovrane të Europës, por për momentin qeveritë e disa vendeve të eurozonës po ngurrojnë të marrin masa në këtë drejtim për arsye politike. Ndërkohë, një gjeneratë e tërë jeton me frikën e humbjes së kontributeve të një jete, bën të ditur “The New York Times”.
Greqia dhe Spanja, shpallën planet për kursime javën e kaluar. Greqia u detyrua të reduktojë pensionet deri në 10 për qind për të bindur kreditorët për seriozitetin e saj. Në Spanjë, qeveria shpalli shkurtime të mëdha buxhetore, të cilat konsiderohen si më të ashprat në historinë e këtij vendi. Në përpjekje për të siguruar investitorët ndërkombëtarë, dhe për të demonstruar përgjegjësinë e vet në eurozonë, Madridi i kreu shkurtimet e shpenzimeve, por për momentin, shmangu shkurtimin e pensioneve. Përkundrazi, Kryeministri Rajoy vendosi të mos e ngrijë rritjen automatike të pensioneve për të kompensuar inflacionin dhe rrjedhimisht të moshuarit do të përfitojnë 1 për qind rritje vitin e ardhshëm. Politikisht kjo është e kuptueshme për shkak se Rajoy dëshiron të shmangë zemërimin e 10 milionë pensionistëve të këtij vendi, të cilët mund të bashkohen me turmat e të papunëve që sakaq kanë organizuar shumë protesta.
Por pensionet përbëjnë zërin më të madh të buxhetit të qeverisë spanjolle me gati 40 për qind të të gjitha shpenzimeve publike dhe afro 9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Spanja është pak më mirë në këtë drejtim në krahasim me Francën, ku 15 për qind e PBB-së shkon për pensione, apo Italisë, ku pensionet hanë 13 për qind të PBB-së. Por duke parë se popullata e Spanjës po plaket me shpejtësi, edhe ky vend pritet të ndjekë Italinë e Francën. Popullsia e të moshuarve mbi 65 vjeç mund të arrijë në mbi 30 për qind në dekadat e ardhshme.
Fakti që pensionet e spanjollëve jo vetëm që nuk u prekën nga shkurtimet, por do të vijojnë të rriten, shpjegon edhe se pse kriza e borxheve në kontinent është kaq e vështirë për t’u zgjidhur. Vetëm Greqia, që tashmë ka mbërritur në një pikë shumë të keqe, qe e gatshme të prekë pensionet dhe të përballet me pasojat e kësaj mase. Përkundrazi, Presidenti i ri i Francës, François Hollande, ka ulur moshën e daljes në pension nga 62 në 60 vjeç për disa kategori punëtorësh. Natyrisht, deficiti i Francës është shumë më i vogël sesa ai i Spanjës. Në Portugali, qeveria vendosi të tërhiqet nga plani për të rritur masën e kontributeve për punonjësit aktualë me synimin për të reduktuar deficitin e skemës së pensioneve të vendit, pasi pa rrugët e mbushura me protestues. Në Britaninë e Madhe, Kryeministri David Cameron vijon të rezistojë ndaj propozimeve për reduktimin e përfitimit nga pensionet për shkak se të moshuarit përbëjnë bazën e votuesve të partisë së tij konservatore.
“Këto politika janë të papërballueshme”, thotë Jagadeesh Gokhale, një ekspert mbi pensionet dhe shpenzimet shoqërore në institutin “Cato”. “Detyrimet e nënkuptuara të skemave të pensioneve shumë shpejt do të kthehen në borxhe reale. Por dinamika aktuale politike e Europës e bën të vështirë marrjen e politikave që kanë kuptim ekonomik”.
Në anën tjetër, problemi është se në Spanjë, pensioni është bërë burimi i mbijetesës për shumë familje. Për shkak të papunësisë në masën 25 për qind dhe me normë dhe më të lartë mes të rinjve shumë spanjollë varen nga pensionet e prindërve dhe gjyshërve për të mbijetuar. Vlerësohet se aktualisht gati 1.7 milionë familje nga 16 milionë që ka gjithsej Spanja, nuk kanë të ardhura nga pagat për shkak se nuk kanë të punësuar. Për rrjedhojë, përfitimet nga pensionet për spanjollët janë më të rëndësishme sesa përfitimet nga pagesa e papunësisë, e cila zgjat vetëm për disa muaj.
Për të paguar rritjen e pensioneve prej 1 për qind në buxhetin e vitit 2013, Rajoy përdori një fond rezervë të pensioneve. Por ky fond nuk është i pafundmë. Vështirësitë pritet të rriten me kalimin e viteve për financimin e pensioneve. Këshilltarët e Rajoy përpiqen të shmangin interpretimin politik të këtij vendimi. Ata argumentojnë se është shumë e rëndësishme për ekonominë dhe shoqërinë të rrisë mbështetjen për pensionistët.
Qeveria e mëparshme mori disa masa për të lehtësuar problemin, duke rritur moshën e pensionit nga 65 në 67 vjeç. Por kjo gjë do të hyjë në fuqi tërësisht vetëm në vitin 2027 dhe deri atëherë, shumë gjëra mund të kenë rrjedhur. Aktualisht, reduktimi i pensioneve mbetet një pension politikisht i padiskutueshëm.
“Ka shumë pensionistë që votojnë dhe sindikatat kundërshtojnë ashpër masa të tilla”, thotë Angel de la Fuente, një ekonomist në Barcelonë. “Qeveria është përpjekur të shtyjë për më vonë masat aq sa të mundet, por në fund do të duhet të bëjë diçka”, shton ai. Vetëm mosrritja e pensioneve mund të kursejë mbi 4 miliardë euro në vit.
Për Greqinë, bujaria afatgjatë e sistemit të pensioneve – ku shumë grupime lejohej të dilnin në pension që 50 vjeç – mund të përkufizojë situatën financiare të falimentuar të këtij vendi. Para mbërritjes së krizës, pensionet në Greqi hanin deri në 14 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por këto ditë kanë ikur përgjithmonë. Greqia planifikon të rrisë moshën e daljes në pension në 67 dhe reduktimi i pensioneve dhe pagave do të sjellë pjesën dërrmuese të kursimeve totale prej 11.5 miliardë euro që ky vend do të kryejë si kërkesë nga kreditorët. Natyrisht, siç e parashikojnë edhe shumë ekonomistë, reduktimi i pensioneve nuk do të sjellë gjë tjetër veçse rënie të mëtejshme të PBB-së, e cila është reduktuar sakaq me 25 për qind përgjatë pesë viteve të fundit. Në vendet e tjera, presioni nuk është mjaftueshëm i madh sa për të imponuar masa të tilla ekstreme, por nuk është e sigurt që do të jetë kështu përgjithmonë.