Qeveria greke ka prezantuar një paketë të re financiare, e cila parashikon mbështetje shtesë për pensionistët dhe rritje të të ardhurave për punonjësit e administratës dhe të sektorit privat. Masat pritet të zbatohen gradualisht gjatë viteve 2026-2028, raporton “Protothema”.

Një prej ndërhyrjeve kryesore lidhet me pensionistët, të cilët duke nisur nga nëntori 2026 do të marrin një shpërblim vjetor prej 400 eurosh. Pagesa do të përsëritet çdo nëntor dhe do të përfitohet pa u kushtëzuar nga niveli i të ardhurave apo vlera e pasurisë.

E drejta për këtë mbështetje do t’u njihet pensionistëve mbi 65 vjeç, personave me aftësi të kufizuara dhe të moshuarve që nuk kanë qenë të siguruar. Heqja e kufizimeve ekonomike pritet ta çojë numrin e përfituesve nga 1.87 milionë në afërsisht 2.2 milionë.

Vlera e shpërblimit do të jetë 100 euro më e lartë se pagesa e mëparshme prej 300 eurosh dhe do t’i afrohet masës së pensionit kombëtar, që aktualisht llogaritet në rreth 446 euro.

Ndryshime priten edhe në mënyrën e llogaritjes së rritjeve vjetore të pensioneve. Në fund të dhjetorit parashikohet të shfuqizohet plotësisht e ashtuquajtura “diferencë personale”, mekanizëm që deri tani ka penguar një pjesë të pensionistëve të merrnin të gjithë rritjen e miratuar.

Pas heqjes së saj, rreth 2.5 milionë pensionistë do të kenë mundësi të përfitojnë rritjen e plotë vjetore. Në këtë kategori përfshihen edhe rreth 670 mijë persona që vazhdojnë të kenë “diferencë personale”.

Sipas përllogaritjeve të paraqitura nga kryeministri grek, dikush që merr pension mujor prej 823 eurosh do të fitojë 208 euro shtesë në vit nga rritja. Së bashku me shpërblimin prej 400 eurosh, përfitimi i përgjithshëm do të jetë 608 euro.

Për pensionet në nivelin 1 086 euro, shtesa totale vjetore përllogaritet në 684 euro. Ndërsa pensionistët që marrin 1 716 euro në muaj pritet të sigurojnë një përfitim të përgjithshëm prej 849 eurosh në vit.

Paketa përfshin masa të veçanta edhe për administratën publike. Duke nisur nga dhjetori 2027, afërsisht 720 mijë punonjës shtetërorë parashikohet të marrin një bonus të përvitshëm prej 500 eurosh bruto për festat e fundvitit.

Kjo pagesë shihet si një rikthim i pjesshëm i pagës së 13-të. Për shumën do të paguhen edhe kontributet përkatëse, çka do të reflektohet më vonë në llogaritjen e pensioneve të punonjësve.

Përpara aplikimit të bonusit, më 1 prill 2027, pagat e të gjithë punonjësve të sektorit publik pritet të rriten me nga 30 euro, pavarësisht kategorisë apo nivelit të tyre aktual.

Ndërkohë, plani ekonomik synon ta çojë pagën minimale në sektorin privat mbi 950 euro në prill 2027. Objektivi pasues është që ajo të arrijë në 1 000 euro në janar të vitit 2028.

Rritja e pagës bazë do të ndikojë automatikisht edhe te të punësuarit që paguhen sipas vjetërsisë. Sistemi grek parashikon një shtesë prej 10 për qind për çdo tre vite përvojë, deri në një kufi maksimal prej tri periudhash trevjeçare.

Në këtë mënyrë, një punonjës me të paktën nëntë vite përvojë mund të marrë deri në 30 për qind më shumë se paga bazë. Sipas një prej shembujve të publikuar, paga e një punonjësi me një periudhë trevjeçare mund të arrijë në rreth 1 045 euro pas zbatimit të ndryshimeve.

Një tjetër ndërhyrje e planifikuar për 1 prillin 2027 është reduktimi me 0.5 pikë përqindjeje i kontributeve të sigurimeve shoqërore. Qeveria synon që përmes kësaj mase të rrisë pagën neto të punonjësve dhe të lehtësojë njëkohësisht shpenzimet e bizneseve për fuqinë punëtore.

Sipas parashikimeve financiare, ulja e kontributeve do të sjellë një reduktim prej rreth 220 milionë eurosh në vit në të ardhurat e fondit të sigurimeve.