Pentagoni ka deklasifikuar dhe publikuar një seri dokumentesh qeveritare mbi objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO), në atë që autoritetet amerikane e kanë cilësuar si një “hap historik drejt transparencës”.

Materialet e publikuara në një faqe të posaçme të Departamentit amerikan të Luftës përfshijnë qindra dokumente, video, raporte inteligjence dhe dëshmi që shtrihen në disa dekada. Në dosje gjenden intervista të FBI, transkripte të misioneve të NASA, dëshmi pilotësh ushtarakë, kabllograme diplomatike të Departamentit të Shtetit dhe imazhe arkivore që lidhen me incidente ajrore të pashpjegueshme.

Mes materialeve të reja përmenden raportime për “objekte metalike”, drita të kuqe misterioze në qiell dhe përballje ajrore të raportuara nga personel ushtarak amerikan. Një nga rastet më të diskutuara i referohet një objekti në formë topi futbolli të vërejtur pranë ujërave japoneze në rajonin Indo-Paqësor gjatë vitit 2024. Një tjetër dokument rikthen në vëmendje misionin Apollo 17 Moon Mission të vitit 1972, ku astronautët kishin raportuar drita të çuditshme që lëviznin mbi sipërfaqen hënore.

Publikimi është koordinuar nga zyra e Pentagonit për Zgjidhjen e Anomalive Ndër-Dimensionale (AARO), në bashkëpunim me Shtepine e Bardhe, Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, NASA-n, FBI-në dhe agjenci të tjera amerikane të inteligjencës.

Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se publikime të tjera priten në javët në vijim, si pjesë e një procesi më të gjerë deklasifikimi. Ky zhvillim vjen pas vitesh presioni nga Kongresi amerikan dhe dëshmive të ish-ushtarakëve që pretendonin se qeveria kishte fshehur informacione mbi objekte misterioze të vërejtura pranë bazave ushtarake sensitive.

Në muajin shkurt, Donald Trump firmosi një urdhër ekzekutiv që i kërkonte Departamentit të Luftës të publikonte “çdo informacion” mbi UFO-t dhe fenomenet anormale të paidentifikuara (UAP).

Ky urdhër erdhi pas deklasifikimeve të mëparshme për vrasjet e John F. Kennedy, Robert F. Kennedy dhe Martin Luther King Jr., të cilat nuk zbuluan prova tronditëse përtej asaj që dihej publikisht.

Vendimi për publikimin e dosjeve UFO erdhi gjithashtu pasi ish-presidenti Barack Obama foli në një podcast për mundësinë e ekzistencës së jetës jashtëtokësore, duke insistuar megjithatë se qeveria amerikane nuk po fsheh prova për kontakte me alienë. Trump reagoi më vonë duke deklaruar se Obama kishte bërë “një gabim të madh” duke folur për informacione të klasifikuara.