Koreja e Jugut ka përfunduar bisedimet me Shtetet e Bashkuara për lirimin e shtetasve të saj të arrestuar gjatë një bastisjeje nga autoritetet amerikane të imigracionit në një fabrikë të Hyundai në ndërtim e sipër në Gjeorgji, tha sot (07/09) një zyrtar presidencial i Koresë së Jugut. Në fakt, qeveria e Koresë së Jugut organizoi nisjen e një avioni për t’i kthyer ata pasi të përfundonin procedurat administrative, siç shtoi shefi i stafit presidencial të Koresë së Jugut, Kang Hoon-sik, në deklaratat e transmetuara në televizion.
Qindra punëtorë në një fabrikë baterish makinash të Hyundai Motor në ndërtim e sipër në Georgia të SHBA-së, u arrestuan të enjten në mbrëmje nga autoritetet amerikane të imigracionit, në operacionin më të madh të kryer ndonjëherë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së në një vend të vetëm. Shumica e punëtorëve të arrestuar janë shtetas të Koresë së Jugut.
Koreja e Jugut kohët e fundit arriti një marrëveshje të madhe tregtare me SHBA-në që përfshin një fond prej 350 miliardë dollarësh për të ndihmuar kompanitë e vendit të hyjnë në tregun amerikan. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mund të vizitojë Korenë e Jugut në tetor për forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor. Zyrtari i Koresë së Jugut shtoi sot se qeveria do të shqyrtojë mënyra për të përmirësuar sistemin e lëshimit të vizave për koreano-jugorët që udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për të “shmangur një incident të ngjashëm”.