Vatikani ka publikuar imazhin e parë të Papa Françeskut që kur u dërgua në spital më shumë se një muaj më parë.

Fotografia tregon udhëheqësin e kishës katolike duke kremtuar një meshë në dhomën e tij të lutjes, në spital, të dielën në mëngjes. Ai shihet i veshur me një stoli vjollcë, ndërsa është ulur në një karrige me rrota përpara një altari.

“Këtë mëngjes Papa Françesku kremtoi Meshën e Shenjtë në katin e 10-të të Policlinico Gemelli”, thuhet në një deklaratë të Vatikanit.

Më herët, Papa falënderoi besimtarët për “të gjitha lutjet”, duke shprehur mirënjohjen e tij për ata “që po e ndihmojnë me një përkushtim të tillë”.

“Trupi ynë është i dobët, por edhe kështu, asgjë nuk mund të na pengojë të duam, të lutemi, të japim veten, të jemi për njëri-tjetrin, në besim, të shkëlqejmë shenja shprese. Sa dritë shkëlqen, në këtë kuptim, në spitale dhe në vendet e kujdesit! Sa kujdes i dashur ndriçon dhomat, korridoret, klinikat, vendet ku kryhen shërbimet më modeste!”– tha ai.