
Donald Trump është betuar për fëmijët e tij, se ai nuk ka asnjë njohje me shkrimtaren Jean Carrol, e cila e akuzoi ish-presidentin për ngacmim seksual.
Sa i takon vendimit të gjykatës që e dënoi atë me një gjobë prej 5 milionë dollarësh, Trump tha se ai nuk priste që të kishte një gjykim të drejtë në Nju Jork apo në Uashington.
“Nuk e kam idenë se kush është ajo, betohem për fëmijët e mi. Kjo është një histori e rreme, e krijuar me qëllim. Nuk mund të kesh një gjyq të drejtë në Nju Jork apo Uashington”, ka thënë Trump në një intervistë për CNN ku konfirmoi rikandidimin e tij për në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Debati që shënoi edhe kthimin e zotit Trump në CNN ishte i tensionuar. Ish-presidenti Trump e ka sulmuar vazhdimisht rrjetin televiziv dhe në debatin e së mërkurës e ofendoi gazetaren Collins disa herë.
Megjithatë ekipi i zotit Trump e pa ftesën nga CNN si një mundësi për të tërhequr një grup më të gjerë votuesish.

