Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar publikisht nga Donald Trump një qëndrim të qartë dhe të vendosur në lidhje me një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë dhe dhënien e garancive të sigurisë për Ukrainën, si mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës dhe për të ndalur presidentin rus, Vladimir Putin.
Në një intervistë ekskluzive për “Sky News”, Zelensky theksoi se ndalimi i luftës është i mundur vetëm nëse vendosen paraprakisht garanci të mirëfillta sigurie për Kievin, një proces që, sipas tij, kërkon vendosmëri të madhe nga presidenti amerikan.
“Shpresoj shumë që presidenti Trump të ketë një pozicion të qartë. Për të ndalur Putinin dhe për t’i dhënë fund luftës, ne kemi nevojë për hapa personalë të fortë,” tha Zelensky.
Ai shtoi se pret nga kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, që gjatë vizitës shtetërore të kësaj jave në Britani, të trajtojë në mënyrë konkrete çështjen e të ardhmes së sigurisë për Ukrainën.
“Para se të përfundojmë luftën, dua të kemi një marrëveshje të plotë – një dokument të mbështetur nga SHBA dhe të gjithë partnerët evropianë. Kjo është shumë e rëndësishme,” theksoi ai.
“Trump mund ta bëjë Putinin të ketë frikë”
Zelensky u shpreh gjithashtu se SHBA ka kapacitetin për të forcuar më tej mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe për të goditur rëndë ekonominë ruse përmes sanksioneve të reja.
“Besoj se Donald Trump mund të na sigurojë sistemet e mbrojtjes ajrore që na duhen – SHBA ka sa të duash,” u shpreh ai. “Ai ka forcë të mjaftueshme për ta bërë Putinin të ketë frikë prej tij.”
Zelensky përmendi se Bashkimi Evropian ka miratuar tashmë 18 paketa sanksionesh kundër Rusisë, ndërsa pritet që një paketë e fuqishme amerikane të plotësojë përpjekjet për izolimin ekonomik të Kremlinit.