Një student në Mbretërinë e Bashkuar është dënuar me 25 vite burg pasi u shpall fajtor për përdhunime dhe sulme seksuale ndaj katër shoqeve të tij. I dënuari, Alex Patel-Wills, 26 vjeç, ish-student i University of Sussex, u dënua në Lewes Crown Court pasi një juri e shpalli fajtor për vepra penale që lidhen me çdo viktimë të përfshirë në çështje.
Sipas autoriteteve, sulmet u kryen ndaj katër grave të reja, në periudhën 2018–2021. Ngjarjet kanë ndodhur në disa lokacione, përfshirë qytetin bregdetar të Brighton, Londër dhe ambientet e kampusit universitar.
Hetimi nisi pasi një grua denoncoi se ishte përdhunuar nga Patel-Wills në një banesë në Brighton. Pas arrestimit të tij, hetimet e mëtejshme zbuluan edhe tre viktima të tjera. Sipas dosjes, njëra prej tyre u përdhunua në një banesë në Londër ndërsa ndodhej në gjendje të pambrojtur, një tjetër u sulmua seksualisht në kampusin universitar në vitin 2020, ndërsa rasti i katërt ndodhi në shtëpinë e të pandehurit në Brighton.
Gjykata e shpalli Patel-Wills fajtor për katër akuza për përdhunim, dy për sulm seksual dhe një për sulm seksual me penetrim, ndërsa u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera. Ai do të vuajë 19 vite burgim efektiv dhe një periudhë shtesë prej gjashtë vitesh nën mbikëqyrje pas lirimit.




