Një 46-vjeçar, i identifikuar si Joao Ferreira da Silva, u vra më pak se 24 orë pasi ishte liruar nga burgu, ku po vuante një dënim me 42 vjet për përdhunimin dhe vrasjen e një fëmije 9-vjeçar.

Ngjarja ndodhi më 10 dhjetor, në mes të ditës, në qytetin Sinop, në shtetin Mato Grosso të Brazilit. Sipas policisë, Ferreira da Silva u qëllua për vdekje nga dy burra të maskuar, të cilët u larguan nga vendngjarja menjëherë pas krimit.

Pamjet nga incidenti tregojnë viktimën duke dalë nga një konvikt, kur brenda pak sekondash një burrë i armatosur, i veshur me kapelë bejsbolli të zezë, pulovër të errët dhe xhinse, i afrohet nga pas dhe i drejton armën. Ferreira da Silva kthehet nga sulmuesi dhe ngre duart në shenjë dorëzimi, ndërsa shtyhet përpara. Një person i dytë, gjithashtu i armatosur dhe me maskë në fytyrë, qëndron pranë ndërtesës për të mbajtur larg kalimtarët. Pak çaste më vonë dëgjohen disa të shtëna me armë zjarri.

Sipas raportimeve, 46-vjeçari u rrëzua në trotuar dhe ndërroi jetë në vend. Në vendngjarje policia gjeti tre gëzhoja plumbash.

Ferreira da Silva ishte dënuar në vitin 2005 për vrasjen e 9-vjeçarit Bruno Apareido dos Santos. Sipas dosjes gjyqësore, ai e kishte tërhequr fëmijën në një shtëpi në ndërtim e sipër, ku e kishte sulmuar, përdhunuar dhe vrarë, duke e varrosur trupin pranë vendit të ngjarjes.

Autori u arrestua 10 ditë më vonë, pasi tentoi të sulmonte një fëmijë tjetër. Megjithëse fillimisht e kishte pranuar krimin, më vonë Ferreira da Silva i tha gjykatës se nuk mbante mend nëse ishte përgjegjës. Nëna e Brunos reagoi pas lajmit për vdekjen e tij, duke thënë se ndjeu një përzierje dhimbjeje dhe lehtësimi.

“Jam e lumtur, jo sepse djali im ka vdekur, ai nuk mund të kthehet më, por sepse ai nuk do të vrasë askënd tjetër. Asnjë fëmijë tjetër nuk do të vdesë për shkak të tij”-, u shpreh ajo.