Gjykata Supreme e Pakistanit ka lënë në fuqi dënimin me vdekje për dy burra të shpallur fajtorë për përdhunimin në grup të një turisteje franceze, një krim që tronditi vendin dhe shkaktoi reagime të forta publike.

Mediat e huaja shkruajnë se ngjarja ndodhi më 9 shtator të vitit 2020, kur Abib Malhi dhe Shafqat Ali sulmuan gruan franceze. Kjo e fundit po udhëtonte me tre fëmijët e saj në autostradën drejt Lahore-s.

Nga hetimet rezulton se, automjeti i saj kishte mbetur pa karburant dhe ajo po priste ndihmë me dyert e mbyllura.

Sulmuesit thyen një nga xhamat e makinës, e nxorën me forcë gruan jashtë dhe e përdhunuan nën kërcënimin e armës, ndërsa fëmijët e saj ishin dëshmitarë të skenave të tmerrshme. Para se të largoheshin, ata grabitën para, bizhuteri dhe karta bankare.

Pavarësisht traumës së rëndë, viktima arriti t’u jepte autoriteteve përshkrime të sulmuesve. Hetimet çuan në identifikimin e tyre përmes të dhënave të telefonisë celulare, ndërsa analizat e ADN-së përputheshin me mostrat e gjetura në vendin e krimit. Gruaja i identifikoi autorët, ndërsa njëri prej tyre pranoi krimin para gjykatës.

Në mars të vitit 2021, dy të pandehurit u dënuan me vdekje për përdhunim në grup, rrëmbim, grabitje dhe vepra terroriste. Të dënuarit e apeluan vendimin, duke pretenduar se kishte mangësi në provat e prokurorisë dhe se procesi nuk kishte qenë i drejtë.

Megjithatë, Gjykata Supreme e Pakistanit hodhi poshtë ankesën, duke vlerësuar se provat kundër tyre ishin dërrmuese dhe mjaftonin për të mbështetur vendimin e shkallëve më të ulëta.

Rasti shkaktoi zemërim të madh në Pakistan dhe protesta në mbarë vendin, veçanërisht pasi një zyrtar policor sugjeroi se viktima mbante një pjesë të përgjegjësisë për ngjarjen, pasi kishte udhëtuar vetëm gjatë natës. Deklarata e tij u kritikua ashpër dhe nxiti debat të gjerë mbi trajtimin e viktimave të dhunës seksuale.

Pakistani mbetet një nga vendet që zbaton më shpesh dënimin me vdekje, ndërsa ekzekutimet kryhen me varje.