Një shoferе kamioni në Britani është dëmshpërblyer me 19,042 paund, pasi një kolege e saj e kishte akuzuar se përdorte pamjen fizike dhe favore seksuale për të përfituar në vendin e punës.

Charlotte Brooks, e punësuar si shoferе HGV pranë kompanisë Co-op, pretendoi se komentet e koleges Kerry Dawson ishin pjesë e një sjelljeje ngacmuese dhe bullizuese që kishte zgjatur për rreth dy vite.

Çështja u shqyrtua në një gjykatë pune në Exeter, Devon, ku u trajtuan pretendimet për ngacmim seksual dhe diskriminim të drejtpërdrejtë për shkak të seksit.

Sipas dëshmive në proces, Dawson kishte bërë disa komente fyese ndaj Brooks gjatë periudhës kur të dyja ndodheshin në trajnim për drejtimin e mjeteve të tonazhit të rëndë. Në vitin 2024, Brooks kishte marrë gjithashtu një mesazh zanor me përmbajtje denigruese lidhur me pamjen e saj.

Co-op kishte hetuar rastin dhe fillimisht kishte vendosur ta pushonte Dawson nga puna. Megjithatë, pas apelimit të saj, vendimi u ndryshua dhe pushimi nga puna u zëvendësua me një paralajmërim me shkrim.

Rikthimi i koleges në vendin e punës ndikoi te Brooks, e cila deklaroi se situata i shkaktoi shqetësim dhe stres të madh, duke e detyruar të merrte edhe leje nga puna.

Gjykatësja e punës, Paula Volkmer, arriti në përfundimin se komentet ndaj Brooks përbënin ngacmim seksual. Sipas saj, gjatë procesit të apelimit nuk ishte vlerësuar siç duhet serioziteti i sjelljes dhe ndikimi që ajo kishte pasur te punonjësja.

Gjykatësja theksoi gjithashtu se mënyra se si ishte trajtuar rasti kishte minimizuar natyrën seksuale të ngacmimit.

Në përfundim të procesit, Charlotte Brooks u akordua me 19,042 paund dëmshpërblim në lidhje me padinë e saj ndaj Co-op.