Një studim i ri i botuar në revistën shkencore britanike BMJ ka hedhur poshtë pretendimet që përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë çrregullime të spektrit të autizmit tek fëmijët. Sipas hulumtimit, të dhënat shkencore aktuale nuk mbështesin një lidhje midis ekspozimit të fetusit ndaj paracetamolit dhe zhvillimit të autizmit ose çrregullimit të hiperaktivitetit dhe deficitit të vëmendjes (ADHD).

Ky përfundim vjen në një kohë kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ngritur disa herë aludime për një lidhje midis paracetamolit dhe autizmit, madje duke iu kërkuar grave shtatzëna të shmangin përdorimin e tij. Komuniteti shkencor ka kundërshtuar këto sugjerime, duke theksuar se konsensusi mjekësor i pranuar ndërkombëtarisht nuk mbështet një lidhje të tillë. Për më tepër, paracetamoli vazhdon të konsiderohet si opsioni më i sigurt për lehtësimin e dhimbjeve tek gratë shtatzëna, duke zëvendësuar aspirinën dhe ibuprofenin që janë të lidhura me rreziqe për fetusin.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ripërsëritur qëndrimin se nuk ka prova që përdorimi i paracetamolit mund të shkaktojë autizëm. Studimi i BMJ-së ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të provave shkencore ekzistuese dhe përforcon konsensusin global. Ky është një “rishikim ombrellë”, që mbledh dhe sintetizon rezultatet e studimeve të tjera, shumica e të cilave kanë cilësi të ulët, sipas autorëve të studimit.

Përkundër disa hulumtimeve të tjera që kanë sugjeruar mundësinë e një lidhjeje midis paracetamolit dhe autizmit ose ADHD-së, kritika është përqendruar në cilësinë e ulët të këtyre studimeve dhe mungesën e masave për të përjashtuar faktorë të tjerë, si predispozita gjenetike ose problemet shëndetësore të nënës.

Një studim i publikuar vitin e kaluar në Environmental Health, i cili ka mbështetur këto pretendime, është kritikuar për mos ofrimin e provave të mjaftueshme që të vërtetojnë një lidhje midis paracetamolit dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit.

Ekspertë të fushës kanë lavdëruar studimin e BMJ-së për metodologjinë e tij të lartë dhe përforcimin e pozicionit të ekspertëve që mendojnë se nuk ka arsye për të lidhur paracetamolin me autizmin. Profesor Dimitrios Sasiakos nga University College London theksoi se studimi konfirmon atë që thonë shkencëtarët dhe mjekët në mbarë botën.

Kjo përmbledhje shkencore vjen pas disa deklaratave të Presidentit Trump dhe të Sekretarit të Shëndetësisë në SHBA, Robert Kennedy Jr., të cilët kanë bërë komente të pabazuara lidhur me një “epidemi” të autizmit dhe lidhjen e mundshme të tij me disa vaksina të fëmijërisë.