Një sërë pretendimesh të pakonfirmuara kanë qarkulluar së fundmi në rrjet, duke përfshirë emrin e një modeleje meksikane në ngjarjet që lidhen me Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur ndryshe si “El Mencho”, figurë kyçe e Cartel Jalisco Nueva Generacion. Pas raportimeve për vrasjen e tij gjatë një operacioni të gjerë në Meksikë, në media sociale nisën të shpërndahen aludime për një lidhje të mundshme me influenceren Maria Julissa.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, në internet u publikuan imazhe dhe video që pretendohej se e shfaqnin modelen si personin e fundit që kishte qenë në shoqërinë e tij. Megjithatë, shumë prej këtyre materialeve dyshohet se janë të manipuluara, madje të krijuara përmes inteligjencës artificiale.

Vetë Maria Julissa reagoi publikisht, duke i hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime. Në një deklaratë në Instagram, ajo i quajti lajmet të fabrikuara dhe theksoi se nuk ka pasur asnjë lidhje me ngjarjen apo me figurën e përmendur. Modelja u kërkoi ndjekësve të saj të mos bien pre e dezinformatave dhe të raportojnë përmbajtjet që përhapin histori të pavërteta, duke nënvizuar se dëshiron të qëndrojë larg polemikave dhe të vijojë jetën e saj në qetësi.