Vrasja e familjes së Safas Younes ishte pjesë e asaj që u bë e njohur si masakra e Hadithas, kur marinsat amerikane vranë 24 civilë irakianë, përfshirë katër gra dhe gjashtë fëmijë. Ata hynë në tri shtëpi duke vrarë pothuajse të gjithë ata që ishin brenda, si dhe një shofer dhe katër studentë në një veturë, të cilët ishin duke shkuar në kolegj

“Kjo është dhoma ku u vra e gjithë familja ime”, thotë Safa Younes.

Vrima plumbash kanë mbushur derën e përparme të shtëpisë në qytetin irakian Hadithas, ku ajo është rritur. Brenda dhomës së gjumit, një mbulesë shumëngjyrëshe mbulon shtratin ku u qëllua familja e saj.

Këtu ajo u fsheh me pesë vëllezërit e motrat e saj, nënën dhe tezen kur marinsat amerikane hynë me forcë në shtëpinë e tyre dhe hapën zjarr, duke vrarë të gjithë përveç Safës, më 19 nëntor 2005. Babai i saj u qëllua gjithashtu për vdekje kur hapi derën e përparme.

Tani, 20 vjet më vonë, një hulumtim i BBC Eye ka zbuluar prova që implikojnë dy marinsa në vrasjen e familjes së Safës, të cilët nuk dolën kurrë në gjyq, sipas një eksperti mjeko-ligjor.

Provat, kryesisht deklaratat dhe dëshmitë e dhëna pas vrasjeve ngrenë dyshime rreth hetimit amerikan për atë që ndodhi atë ditë dhe ngrenë pyetje të rëndësishme se si mbahen përgjegjëse forcat e armatosura amerikane.

Vrasja e familjes së Safas ishte pjesë e asaj që u bë e njohur si masakra e Hadithas, kur marinsat amerikane vranë 24 civilë irakianë, përfshirë katër gra dhe gjashtë fëmijë. Ata hynë në tri shtëpi duke vrarë pothuajse të gjithë ata që ishin brenda, si dhe një shofer dhe katër studentë në një veturë, të cilët ishin duke shkuar në kolegj.

Incidenti shkaktoi hetimin më të gjatë amerikan për krime lufte gjatë luftës në Irak, por askush nuk u dënua për vrasjet.

Marinsat thanë se u ishin përgjigjur të shtënave me armë zjarri pasi një bombë në anë të rrugës kishte shpërthyer, duke vrarë një nga anëtarët e skuadrës së tyre dhe duke plagosur dy të tjerë.

Por Safa, e cila ishte 13 vjeç në atë kohë, i ka thënë World Service se ata “nuk ishim akuzuar për asgjë dhe se as nuk kishim armë në shtëpi”.

Ajo mbijetoi duke u shtirur si e vdekur midis trupave të vegjël të motrave dhe vëllait të saj. Më i vogli ishte tre vjeç. 

“Unë isha e vetmja e mbijetuar nga e gjithë familja ime”, thotë ajo.

Dëshmitë kontradiktore

Katër marinsat u akuzuan fillimisht për vrasje, por ata dhanë rrëfime kontradiktore të ngjarjeve dhe me kalimin e kohës, prokurorët ushtarakë amerikanë hoqën dorë nga akuzat kundër tre prej tyre, duke u dhënë atyre imunitet nga veprimet e mëtejshme ligjore.

Kjo e la udhëheqësin e skuadrës, rreshterin Frank Wuterich, të vetmin që u përball me gjyqin në vitin 2012.

Në një videoregjistrim të një seance dëgjimore paraprake, i cili nuk është transmetuar kurrë më parë, anëtari më i ri i skuadrës, Humberto Mendoza, merret në pyetje dhe riinterpreton ngjarjet në shtëpinë e Safës.

Mendoza – i cili në atë kohë ishte ushtar i thjeshtë dhe nuk u akuzua kurrë, pranon vrasjen e babait të Safës kur hapi derën e përparme të marinsave.

“A ia patë duart?” e pyet një avokat. “Po zotëri”, përgjigjet Mendoza dhe vazhdon duke konfirmuar se babai i Safës nuk ishte i armatosur. “Por ju e qëlluat gjithsesi?”. pyet avokati. “Po zotëri”, thotë Mendoza.

Në deklaratat e tij zyrtare, Mendoza fillimisht ka pohuar se pasi hyri në shtëpi, hapi derën e dhomës së gjumit ku ndodhej Safa dhe familja e saj, por kur pa se brenda kishte vetëm gra dhe fëmijë, nuk hyri brenda, por në vend të kësaj e mbylli derën.

Megjithatë, në një audioregjistrim të zbuluar rishtazi nga gjyqi i Wuterich, Mendoza jep një rrëfim tjetër. Ai thotë se eci rreth 2.4 metra në dhomën e gjumit.

Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sipas ekspertit mjeko-ligjor Michael Maloney. Shërbimi Hetimor Penal Detar e dërgoi atë në Haditha në vitin 2006 për të hetuar vrasjet dhe ai analizoi dhomën e gjumit ku u qëllua familja e Safas.

Duke përdorur fotot e vendit të krimit, të bëra nga Trupat e Marinës në kohën e vrasjeve, ai arriti në përfundimin se dy marinsa kishin hyrë në dhomë dhe kishin qëlluar gratë dhe fëmijët.
Kur dëgjoi regjistrimin e Mendozës duke thënë se kishte hyrë në dhomë, Maloney tha: “Kjo që po dëgjojmë është thjesht e mahnitshme për mua, dhe nuk e kam dëgjuar kurrë më parë”.

Maloney tha se ky fakt tregonte se Mendoza po vendosej në pozicionin që ai parashihte, në përfundimin se qëndronte si qëlluesi i parë.

“Nëse do të më pyesnit: ‘A është ky një lloj rrëfimi?’ Ajo që do të thosha është: ‘Mendoza rrëfeu gjithçka përveçse që tërhoqi këmbëzën’”.

Safa kishte dhënë një videodëshmi para prokurorëve ushtarakë në vitin 2006, por ajo nuk u shfaq kurrë në gjykatë. Në të, ajo përshkroi se si marinsi që hapi derën e dhomës së gjumit hodhi një granatë, e cila nuk shpërtheu, dhe më pas i njëjti burrë hyri në dhomë dhe qëlloi familjen e saj. Mendoza është i vetmi marins që e pranoi ndonjëherë se e hapi derën.

Një tjetër marins, Stephen Tatum nuk e mohoi pjesëmarrjen në sulm, por tha se e kishte ndjekur udhëheqësin e skuadrës, Wuterich, në dhomën e gjumit dhe fillimisht pretendoi se nuk e dinte se atje kishte gra dhe fëmijë për shkak të dukshmërisë së dobët.

Por në tri deklarata të mëvonshme të marra nga BBC-ja, Tatum dha një rrëfim më ndryshe.
“Pashë që fëmijët ishin në dhomë të gjunjëzuar. Nuk më kujtohet numri i saktë, por vetëm se ishin shumë. Jam stërvitur të qëlloj dy herë në gjoks dhe dy herë në kokë dhe e ndoqa stërvitjen time”, i tha Tatum Shërbimit Hetimor Penal në prill të vitit 2006.

Një muaj më vonë, ai tha se “ishte në gjendje t’i identifikonte njerëzit në dhomë si gra dhe fëmijë, para se t’i qëllonte”.

Dhe pastaj, një javë pas kësaj, ai tha: “Këtu ishte vendi ku pash fëmijën që qëllova. Duke e ditur se ishte fëmijë, unë prapë e qëllova”.

Ai e përshkroi fëmijën të veshur me një bluzë të bardhë, duke qëndruar në shtrat dhe me flokë të shkurtër.

Avokatët mbrojtës të Tatum pretenduan se këto deklarata të mëvonshme ishin marrë nën presion. Akuzat kundër Tatum u rrëzuan në mars 2008 dhe deklaratat u shpërfillën në gjyqin e Wuterich.
Eksperti i mjekësisë ligjore Michael Maloney tha se deklaratat e Mendozës dhe Tatum tregojnë se ata janë dy marinsat që qëlluan familjen e Safës. Ai beson se Mendoza shkoi i pari në dhomën e gjumit dhe Tatum e ndoqi “duke qëlluar mbi krevat”. 

Ekipi i BBC-së ia paraqiti akuzat Mendozës dhe Tatumit. Mendoza nuk u përgjigj. Ai më parë e ka pranuar se ka qëlluar babain e Safës, por tha se po ndiqte urdhra. Ai nuk u akuzua kurrë për ndonjë vepër penale.

“Gjyqi spektakël”

Përmes avokatit të tij, Tatum tha se dëshiron ta lë Hadithan pas. Ai nuk e ka tërhequr kurrë dëshminë e tij se ishte një nga qëlluesit në shtëpinë e Safës.

Maloney i tha BBC-së se prokuroria “donte që Wuterich të ishte qëlluesi kryesor”. Por para se Maloney të ishte në gjendje të dëshmonte, gjyqi i Wuterich përfundoi me një marrëveshje pranimi të fajësisë.

Wuterich pohoi se nuk mbante mend se çfarë kishte ndodhur në shtëpinë e Safës dhe pranoi të pranonte fajësinë për një akuzë të shpërdorimit të detyrës nga pakujdesia – një akuzë që nuk lidhej me ndonjë përfshirje të drejtpërdrejtë në vrasje.

Avokati ushtarak i Wuterich, Haytham Faraj, vetë një ish-marins, tha se dënimi ishte “i barabartë me një shuplakë në kyçin e dorës… si një gjobë për shpejtësi të lartë”.

Neal Puckett, avokati kryesor mbrojtës i Wuterich, tha se i gjithë hetimi dhe ndjekja penale kundër klientit të tij ishte “e dështuar”.

“Prokuroria, duke u dhënë imunitet të gjithë dëshmitarëve të saj dhe duke rrëzuar të gjitha akuzat e tyre… në thelb e bëri veten të paaftë për të arritur drejtësi në këtë rast”, tha ai.

Haytham Faraj u pajtua se procesi ishte thellësisht i gabuar.

“Qeveria pagoi njerëz që të vinin dhe të gënjenin, dhe pagesa ishte imunitet, dhe kështu e keqpërdorën procesin ligjor”, i tha ai BBC-së.

“Gjyqi i Hadithas nuk kishte kurrë për qëllim t’u jepte zë viktimave”, shtoi ai.

Ai tha se “përshtypjet e të mbijetuarve për një gjyq spektakël pa rezultat të vërtetë, pa asnjë të ndëshkuar, ishin të sakta”.

Korpusi i Marinës Amerikane tha se është i përkushtuar për procedura të drejta dhe të hapura sipas Kodit të Drejtësisë Ushtarake, duke siguruar një proces të rregullt ligjor. Shtoi se nuk do të rihapte hetimin nëse nuk do të paraqiteshin një mori provash të reja, të pashqyrtuara dhe të pranueshme.

Prokurorja kryesore në këtë rast nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për koment.

Tani në moshën 33 vjeçe, Safa ende jeton në Haditha dhe ka tre fëmijë. Ajo thotë se nuk mund ta kuptojë se si asnjë marins nuk u ndëshkua për vdekjen e familjes së saj.

Kur i tregohet një video e Mendozës, ajo thotë se ai “duhet të ishte burgosur që nga momenti që ndodhi incidenti, dhe se duhej të kishte qenë e pamundur që ai të shihte dritën e diellit”.

“Është sikur të ketë ndodhur vitin e kaluar. Ende e mendoj”, thotë ajo për ditën kur u vra familja e saj.

“Dua që ata që e bënë këtë të mbahen përgjegjës dhe të ndëshkohen nga ligji. Kanë kaluar pothuajse 20 vjet pa u gjykuar. Ky është krimi i vërtetë”./Flutura Gashi-Mehmeti