Gjermania do të vendosë gjoba deri në 1.000 euro për këdo që nuk përgjigjet ose jep përgjigje të rreme në pyetësorin që lidhet me shërbimin ushtarak, apo që nuk paraqitet për kontrollet mjekësore të parashikuara.
Ligji i ri do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026 dhe parashikon që të gjithë meshkujt 18-vjeçarë, si edhe ato femra 18-vjeçare që dëshirojnë, të përgjigjen në 14 pyetje të Bundeswehr-it (Forcave të Armatosura Gjermane) dhe më pas t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore.
Ata që do të shpallen të aftë, do të përfshihen në lista të rekrutimit, nga të cilat ushtria do t’i bëjë pjesë të personelit në rast se nevojat nuk mbulohen nga vullnetarët.
Sipas gazetës BILD, kushdo që përpiqet t’i shmanget këtyre procedurave, rrezikon një gjobë deri në 1.000 euro. Shuma e saktë do të përcaktohet rast pas rasti, në varësi të rëndësisë së shkeljes.
Për më tepër, nëse dikush nuk paraqitet për kontrollet mjekësore pa një arsye serioze, autoritetet mund të kërkojnë shoqërimin e tij nga policia.
Pyetësorët e parë pritet të dërgohen që nga mesi i janarit, ndërsa Ministria gjermane e Mbrojtjes vlerëson se do të dërgojë rreth 54.000 pyetësorë çdo muaj.
