Pesë adoleshentë kanë mbetur të plagosur rëndë pas një sulmi me thikë që tronditi një festë Halloween-i në Chandler’s Ford, pranë qytetit Eastleigh, në jug të Anglisë.

Ngjarja ndodhi të shtunën, pak pas orës 22:30, në Park Road. Sipas informacioneve paraprake, një grup personash ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hyrë në ambientet ku po zhvillohej festa dhe më pas kanë sulmuar me thikë disa prej të pranishmëve.

Policia e Hampshire bëri të ditur se të plagosurit janë tre djem 16-vjeçarë dhe dy adoleshentë 17-vjeçarë. Të pesë janë transportuar me urgjencë në spital, ndërsa nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

Dëshmitarët kanë raportuar praninë e disa ambulancave në vendngjarje. Njëri prej tyre ka treguar se kishte parë një person që po largohej me vrap nga banesa, duke bërtitur se ishte goditur me thikë dhe se po ndiqej nga dy persona.

Pas sulmit, policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë. Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve që disponojnë informacione apo pamje nga ngjarja të bashkëpunojnë me hetuesit.

Inspektorja detektive Elizabeth Pirie, e cila drejton hetimet, ka falënderuar komunitetin për bashkëpunimin, ndërsa deputetja e Eastleigh, Liz Jarvis, ka shprehur solidaritetin me të plagosurit dhe familjet e tyre. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të mos përhapin informacione të pakonfirmuara dhe të shmangin spekulimet mbi ngjarjen.