Një 17-vjeçar është plagosur me thikë dhe nëntë persona janë arrestuar pas përleshjeve të dhunshme që shpërthyen gjatë një grumbullimi të paautorizuar të të rinjve në Clapham Common, në jug të Londrës.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, kur dhjetëra adoleshentë u përfshinë në përplasje fizike në parkun e njohur. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë të rinj duke u goditur me grushte dhe duke u sulmuar edhe kur ndodheshin të shtrirë në tokë.

Policia metropolitane ndërhyri me forca të shumta për të shpërndarë turmën, ndërsa në zonë mbërritën edhe ambulancat.

17-vjeçari i plagosur u transportua në spital me plagë thike, por sipas autoriteteve britanike dëmtimet nuk konsiderohen të rrezikshme për jetën.

Policia bëri të ditur se mes të arrestuarve ka të rinj të moshës 14 deri në 19 vjeç, të dyshuar për dhunë të rëndë, përleshje dhe mbajtje armësh të ftohta.

Një 18-vjeçar u arrestua gjithashtu për sulm ndaj një efektivi policie.

Sipas autoriteteve, situata doli jashtë kontrollit gjatë një aktiviteti muzikor të organizuar në park.

Video të shpërndara online tregojnë përplasje mes të rinjve dhe policisë, ndërsa oficerët përpiqeshin të rikthenin rendin.

Ngjarja vjen vetëm pak javë pas incidenteve të ngjashme në Clapham High Street, ku grupe të rinjsh u mblodhën përmes organizimeve në rrjetet sociale, duke shkaktuar trazira dhe detyruar disa biznese të mbyllnin aktivitetin më herët.

Autoritetet britanike kanë kërkuar bashkëpunimin e dëshmitarëve, ndërsa hetimet për incidentin vijojnë.