Zgjedhjet presidenciale në Kolumbi do të vendosen në raundin e dytë, pasi asnjë nga kandidatët nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme në votimin e parë. Në balotazh do të përballen kandidati i së djathtës, Abelardo de la Espriella, dhe senatori i së majtës, Iván Cepeda.
Rezultatet e raundit të parë kanë sjellë surpriza në skenën politike kolumbiane, pasi De la Espriella ka siguruar një mbështetje më të madhe se sa parashikonin sondazhet, veçanërisht në rajonet ku çështjet e sigurisë dhe lufta kundër krimit dominojnë shqetësimet e qytetarëve.
Kandidati i djathtë ka ndërtuar fushatën e tij mbi premtime për masa më të ashpra ndaj kriminalitetit, forcimin e rendit publik dhe investime në sistemin penitenciar, duke fituar mbështetje të konsiderueshme në zonat rurale dhe periferike.
Nga ana tjetër, Cepeda, i mbështetur nga kampi i presidentit aktual Gustavo Petro, mbetet një pretendent i fortë për presidencën, megjithëse gara është bërë më e ngushtë se sa pritej fillimisht.
Balotazhi i 21 qershorit pritet të jetë vendimtar për të ardhmen politike të vendit, ndërsa të dy kandidatët po intensifikojnë përpjekjet për të fituar votuesit e qendrës dhe ata që ende nuk kanë vendosur se kë do të mbështesin.
