Reshjet intensive dhe përmbytjet kanë shkaktuar pasoja të rënda në Katalonjë të Spanjës, ku dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur.
Një nga viktimat u raportua në Tordera, në veri të Barcelonës, pasi një mur u shemb si pasojë e motit të keq. Lajmin e konfirmoi lideri i Katalonjës, Salvador Illa.
Viktima e dytë është regjistruar në komunën e Montornes del Vallès, bëjnë me dije shërbimet zjarrfikëse.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet për një person të zhdukur në Pineda de Mar. Autoritetet kanë angazhuar forca dhe mjete të posaçme për të përballuar situatën dhe për të vijuar operacionin e kërkim-shpëtimit.
Reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Katalonjës, duke sjellë vështirësi të mëdha dhe rrezik për banorët.
