E ndersa disa vende te europes

perballen me zjarret, pamje dramatike vijnë nga Filipinet, ku reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu, duke marrë të paktën 23 jetë dhe duke detyruar mijëra banorë të largohen nga banesat.

Situata është përkeqësuar nga forcimi i musonit jugperëndimor dhe kalimi i cikloneve tropikale Luis dhe Maymay.

Ujërat kanë dalë nga shtretërit e lumenjve, ndërsa rrugë të shumta janë bërë të pakalueshme. Zonat më të prekura janë në Luzon dhe pjesë të Visayas.

Ekipet e emergjencave po zhvillojnë operacione kërkim-shpëtimi dhe evakuimi, ndërsa mijëra familje janë strehuar në qendra të përkohshme.

Përmbytjet kanë dëmtuar rrugë, ura dhe toka bujqësore, ndërsa në disa zona janë raportuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme me furnizimin me ujë.

Autoritetet paralajmërojnë se reshjet mund të vijojnë dhe u bëjnë thirrje banorëve në zonat e rrezikuara të qëndrojnë në gatishmëri.

Por moti i keq ka shkaktuar viktima edhe në Shtetet e Bashkuara.

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën në Indiana, pas stuhive dhe përmbytjeve që kanë goditur shtetin që prej 11 gushtit. Mes viktimave është edhe një fëmijë katërvjeçar.

Qindra banorë janë evakuuar, ndërsa ekipet e emergjencave kanë përdorur varka për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nga ujërat.

Në Indianapolis, niveli i lumit White arriti një nivel rekord, duke kaluar rekordin e vitit 1913.

Rreth 130 mijë abonentë mbetën pa energji, ndërsa shumë rrugë dhe ura u dëmtuan.

Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar për rrezikun e përmbytjeve të tjera, ndërsa është miratuar edhe ndihma federale për zonat e prekura.