Delegacionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Rusisë do të rinisin dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe rishikimin e mundësisë për aktivizimin e një sërë marrëveshjesh që kanë të bëjnë me armatimin bërthamor, sanksionet dhe spiunazhin.
Takimi i parë i dy grupeve të negociatorëve do të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës me 28 korrik. ShBA ka përcaktuar ekipin e saj.
Delegacioni i Uashingtonit do të ketë dy kryetarë, zëvendës/sekretaren e Shtetit Wendy R. Sherman dhe nën.Sekretaren e Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkmbëtare, Bonnie Jenkins.
Tryeza është në kuadër të bisedimeve të Dialogut për Stabilitet Strategjik, që ishte ndër pikat e pakta që u ra dakord në takimin mes Joe Biden dhe Vladimir Putin pak kohë më parë po në Zvicër.
Synimi është që dy vendet të hapin themelet për disa marrëveshje të reja në fushën e kontrollit të armëve dhe reduktimin e tyre, sidomos të armëve të shkatërrimit në masë, si arsenali bërthamor.
Këtij takimi, Vladimir Putin i ka paraprirë me prezantimin e raketës hipersonike Zircon, gjeneratës së re të sistemit mbrojtës S-500 dhe projektit të avionit “Shah Mat”, që cilësohet si rivali i F-35 amerikane.