Viktor Orbán viziton sot Shtëpinë e Bardhë, me qëllimin të tentojë ndërmjetësimin e një takimi tjetër mes Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit, për të cilin këshilltarët e kryeministrit të ekstremit të djathtë të Hungarisë pretendojnë se mund të ndihmojë në përfundimin e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Orbán, i cili ka propozuar që vendi i mbajtjes së samitit të jetë pikërisht Budapesti, pritet të kërkojë gjithashtu që energjia ruse të përjashtohet nga sanksionet e SHBA-së në atë që do të jetë një provë e madhe e linjës më të ashpër të Trump ndaj Kremlinit, pasi ai akuzoi Putinin për ngadalësimin e negociatave për t’i dhënë fund konfliktit.
Megjithatë, sipas The Guardian, prioritet i Orbánit është që Trumpi të vizitojë Hungarinë në një kohë kur ai vetë përballet me një sfidë të pashembullt të brendshme nga një udhëheqës i ri i opozitës përpara zgjedhjeve të muajit prill.
Këshilltarët e Orbanit besojnë një vizitë e Trump do të përforconte rolin e tij si burrë shteti dhe do t`i jepte energji të re bazës së tij konservatore.
Delegacioni i Orbanit në Washington, me rreth 180 anëtarë, do të përfshijë disa ministra qeveritarë, udhëheqës të bizneseve dhe të tjerë. Paqja në Ukrainë pritet të jetë temë kryesore e takimit, edhe pse shpresat që Orbani të mirëpresë një takim Trump-Putin për momentin janë zbehur.
Kundërshtimi i Orbanit ndaj anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimit Evropian mund të jetë ose mund të mos jetë temë.
Në gusht, Bloomberg raportoi se Trump e kishte telefonuar Orbanin, duke i bërë thirrje që të ndalonte së bllokuari bisedimet për anëtarësim të Kievit.
Top Channel
