Një 23-vjeçar është dënuar me 9 vite e 4 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi shkaktoi vdekjen e një 12-vjeçari në një aksident të rëndë rrugor dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes, duke u arratisur drejt Letonisë për t’iu shmangur drejtësisë.

Aleksanders Dolars pranoi në gjykatë përgjegjësinë për vdekjen e Keaton Slater, i cili u përplas nga automjeti që ai drejtonte më 14 qershor 2024, në Coventry të Anglisë. Përveç dënimit me burg, 23-vjeçarit i është hequr e drejta për të drejtuar automjete për 16 vite.

Sipas hetimeve, Dolars po udhëtonte me një automjet BMW me shpejtësi deri në 76 milje në orë, në një rrugë ku kufiri i lejuar ishte vetëm 30 milje në orë. 12-vjeçari po kthehej nga shkolla me disa shokë kur u përplas për vdekje nga makina.

Pas aksidentit fatal, shoferi nuk ndaloi për të ndihmuar fëmijën, por u largua me shpejtësi. Madje, sipas dëshmisë së prokurores Michelle Healey, nga automjeti u dëgjua një person që bërtiste: “Ik, ik, ik!”. Makina u gjet e braktisur disa kilometra larg vendit të ngjarjes.

Menjëherë pas aksidentit, Dolars u largua drejt Letonisë, ku qëndroi për më shumë se dy vite. Ai u ekstradua në Britani në gusht të vitit 2026, ku përfundoi përpara drejtësisë.

Në gjykatë, nëna e viktimës, Louise Slater, rrëfeu dhimbjen e papërshkrueshme të familjes pas humbjes së të birit, duke theksuar se atë ditë askush nuk e kishte menduar se Keaton nuk do të kthehej më në shtëpi.

Babai i tij, Clint Slater, e cilësoi djalin si mikun e tij më të mirë, ndërsa shprehu dhimbjen për faktin se familja nuk do të ketë kurrë mundësinë të shohë se çfarë do të arrinte ai në jetë.

Keaton ishte një fëmijë energjik, i dashuruar pas futbollit dhe ëndërronte të bëhej futbollist profesionist. Në ceremoninë e tij mortore, ku morën pjesë qindra persona, dominonin ngjyrat bojëqielli, në nder të skuadrës së zemrës, Coventry City.

Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtarja Kristina Montgomery e cilësoi sjelljen e shoferit si jashtëzakonisht të rrezikshme dhe theksoi se frika e tij nga burgu nuk mund të justifikonte braktisjen e një fëmije në momentet pas përplasjes.

Megjithatë, dënimi nuk i ka kënaqur prindërit e 12-vjeçarit, të cilët besojnë se ai duhej të ishte më i rëndë. Nëna e Keatonit u shpreh se 9 vite burg janë të pamjaftueshme përballë jetës së shkurtër të të birit, i cili pati mundësinë të jetonte vetëm 12 vite.