Turqia është përfshirë nga polemika dhe debate të forta pasi shoferi i një kamioni, i cili përplasi për vdekje dy vajza 13-vjeçar, është dënuar nga gjykata vetëm me një gjobë prej 120,000 lirash turke (rreth 2,500 euro).
Sipas mediave vendase, aksidenti tragjik ndodhi më 30 shtator 2025, në qytetin Samsun. Dy nxënëset 13-vjeçare u përpoqën të kalonin rrugën ndërsa semafori për këmbësorë ishte i kuq kur u shtypën nga furgoni i drejtuar nga 20-vjeçari Sultan Ahmet Yilmaz. Aksidenti u regjistrua nga kamerat e trafikut dhe video e ngjarjes shërbeu si provë kryesore në gjykimin e çështjes. Vajzat u dërguan në spital me lëndime të rënda, ku pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ato ndërruan jetë. Pas incidentit, shoferi u arrestua dhe u la në paraburgim, duke qëndruar në burg për rreth tre muaj përpara se të lirohej me kusht. Ai u akuzua për shkaktimin e vdekjes nga pakujdesia të më shumë se një personi.
Raportet e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore luajtën një rol vendimtar në zhvillimin e çështjes. Si raporti fillestar në Samsun, ashtu edhe rishqyrtimi nga komisioni kompetent në Stamboll, arritën në përfundimin se dy vajzat ishin kryesisht përgjegjëse për aksidentin , pasi ato u përpoqën të kalonin rrugën në semafor të kuq. Në këto kushte, shoferi u shpall përgjegjës dytësor. Gjatë mbrojtjes së tij, 20-vjeçari pretendoi se nuk i kishte përplasur qëllimisht vajzat, duke deklaruar se automjeti rrëshqiti kur ai u përpoq të frenonte. Njëkohësisht, ai shprehu keqardhjen e tij për rezultatin tragjik.
“Më vjen vërtet keq për atë që ndodhi. Nuk munda të bëja asgjë për ta parandaluar. Askush nuk mund t’i shpëtojë fatit. Po lëvizja me një shpejtësi prej 50-60 kilometrash në orë dhe moti ishte me shi. Po drejtoja në korsinë e mesme. Për të shmangur përplasjen, e ktheva timonin djathtas dhe frenova, por automjeti rrëshqiti. Kur hyra në kryqëzim, pashë një hije para meje, frenova, por nuk munda ta parandaloja aksidentin “-, dëshmoi ai.
Gjykata e shpalli shoferin fajtor për shkaktimin e një aksidenti fatal rrugor nga pakujdesia me dy viktima dhe fillimisht e dënoi me katër vjet burg. Megjithatë, duke marrë parasysh dosjen e tij të pastër kriminale, dënimi u ul në tre vjet e katër muaj dhe më vonë u konvertua në një gjobë prej 120,000 lirash turke. Vendimi ka ngjallur debate në opinionin publik turk, pasi familjet e dy viktimave kishin kërkuar që shoferi të ndëshkohej rëndë.
