Ndërsa Franca, si anëtare e G7-ës, ka njohur zyrtarisht shtetin palestinez, SHBA dhe Evropa vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme mbi këtë çështje të ndjeshme.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, u shpreh se njohja e Palestinës do të ishte një “shpërblim për Hamasin”. Ai theksoi se ka ndërprerë disa konflikte, jo për të fituar Çmimin Nobel për Paqen, por për të shpëtuar jetë njerëzish.
Nga ana tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron ka një qëndrim krejt ndryshe. Ai iu përgjigj Trumpit duke thënë se çmimi Nobel për Paqen është i mundur vetëm nëse lufta në Gaza ndalet. “Trump thotë se dëshiron Çmimin Nobel për Paqen, por kjo do të ndodhë vetëm nëse armët heshtin në Gaza,” u shpreh Macron.
Ky debat pasqyron ndasitë e thella mes SHBA-së dhe disa vendeve evropiane mbi mënyrën e trajtimit të konfliktit izraelito-palestinez dhe njohjen e shtetit palestinez.