Një incident detar është regjistruar mëngjesin e së hënës, 31 gusht, në ujërat pranë ishullit të Skiathosit në Greqi, ku një varkë turistike është përplasur me një varkë me vela.
Mjeti turistik, i cili kishte 42 persona në bord, ishte nisur nga porti i Skiathosit me destinacion ishullin Tsougria. Gjatë lundrimit, për arsye që ende nuk janë bërë të qarta, varka u përplas me pjesën e majtë të harkut të mjetit me vela.
Si pasojë e përplasjes, varka me vela pësoi dëmtime dhe u ça në pjesën e harkut. Ndërkohë, disa prej personave të përfshirë në incident kanë marrë dëmtime të lehta, por fatmirësisht nuk raportohet për të plagosur rëndë.
42 pasagjerët e varkës turistike u evakuuan pa probleme dhe arritën të zbarkonin në mënyrë të sigurt në Tsougria. Pas incidentit, varka turistike u rikthye me forcat e veta drejt Skiathosit, pa pasur nevojë për ndërhyrjen e mjeteve të shpëtimit.
Mjeti u ankorua në zonën e Agios Georgios, brenda portit të Skiathosit. Pas mbërritjes, kapitenit iu nënshtrua testit të alkoolit, i cili rezultoi negativ.
Autoriteti Portual i Skiathosit ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e përplasjes. Aktualisht po verifikohen edhe dëmet e shkaktuara në të dyja mjetet lundruese, ndërsa hetimi do të përcaktojë edhe përgjegjësitë e mundshme për aksidentin.
