Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar më tej, pasi Teherani paralajmëroi se mund të bllokojë më shumë rrugë strategjike të tregtisë në rajon, ndërsa ushtria amerikane njoftoi një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane.

Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-ja të ndalojë, sipas saj, “aktet e agresionit”, duke paralajmëruar se edhe korridore të tjera të eksportit të naftës dhe gazit mund të bëhen objekt i masave të ngjashme.

Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se ka kryer sulme me dronë ndaj objektivave në Iran, si pjesë e një operacioni të zgjeruar ushtarak.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është i gatshëm të godasë infrastrukturën energjetike iraniane, përfshirë ura dhe termocentrale, nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e negociatave.

Ndërkohë, SHBA-ja ka vendosur një bllokadë të re ndaj porteve iraniane, duke kufizuar lëvizjen e anijeve drejt dhe nga brigjet e Iranit.

Si kundërpërgjigje, mediat shtetërore iraniane raportuan se ushtria e vendit ka kryer sulme ndaj objektivave amerikane në Jordani, Kuvajt dhe Bahrein, ndërsa aleatët e Uashingtonit njoftuan se kanë neutralizuar dronë dhe raketa të lëshuara nga Irani.