Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është shprehur i gatshëm që të furnizojë Ukrainën me armë, por përmes një skeme të re: fillimisht duke ia shitur ato aleatëve të NATO-s, të cilët më pas do t’ia dërgonin Kievit.

Sipas “The Guardian”, kjo lëvizje vjen mes tensioneve të ashpra me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe bllokimit të negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Në një intervistë për NBC News, Trump tha se do të ketë “një deklaratë të rëndësishme” për Rusinë të hënën dhe konfirmoi se ka arritur një marrëveshje me udhëheqësit e NATO-s për të mbështetur Ukrainën me armë.

“Pra, ajo që po bëjmë është se armët po shiten te NATO dhe më pas NATO ia jep Ukrainës, duke paguar për to,” u shpreh Trump, duke theksuar se në këtë mënyrë vendimi për dërgimin e armëve i kalon aleancës, dhe jo drejtpërdrejt Uashingtonit.

Kjo qasje përbën një ndryshim nga politika e mëparshme e reduktimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, që synonte ta detyronte Kievin të negocionte për paqe.

Ndërkohë, i dërguari i Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, pritet të mbërrijë në Kiev për një vizitë njëjavore, në kohën kur SHBA-të kanë pezulluar përkohësisht dërgesat e armëve për shkak të mungesës së municioneve të mbrojtjes ajrore Patriot.

Zyrtarët amerikanë sqarojnë se ky plan i ri ndryshon nga ndihma e drejtpërdrejtë, pasi vendimin për furnizimin e Ukrainës do ta marrë NATO, e jo Uashingtoni.