Tensionet mes Afghanistan dhe Pakistan janë përshkallëzuar ndjeshëm, pasi autoritetet talebane në Kabul njoftuan se kanë nisur sulme ndaj pozicioneve ushtarake pakistaneze përgjatë kufirit të përbashkët, duke pretenduar se veprimet erdhën si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve ajrore pakistaneze të javës së kaluar.
Sipas zyrës mediatike të një korpusi ushtarak në lindje të Afganistanit, “përleshje të ashpra” nisën vonë të enjten në përgjigje të sulmeve ajrore që, sipas tyre, u kryen nga forcat pakistaneze në provincat Nangarhar dhe Paktia.
Zëdhënësi i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid, deklaroi se operacione të gjera ofensive janë ndërmarrë kundër pozicioneve dhe instalimeve ushtarake pakistaneze përgjatë vijës kufitare të njohur si “Durand Line”, duke e cilësuar situatën si reagim ndaj “provokimeve të përsëritura”.
Një burim ushtarak afgan i tha Al Jazeera-s se 10 ushtarë pakistanezë janë vrarë dhe se 13 poste kufitare janë marrë nën kontroll gjatë sulmeve të fundit.
Megjithatë, autoritetet në Islamabad i mohuan kategorikisht këto pretendime. Zëdhënësi i kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif, përmes një reagimi publik, deklaroi se asnjë postë pakistaneze nuk është kapur apo dëmtuar dhe se forcat e vendit kanë shkaktuar “humbje të rënda” në anën afgane si përgjigje ndaj asaj që e quajtën “agresion të paprovokuar”.
Ministria pakistaneze e Informacionit bëri të ditur se trupat e saj dhanë një “përgjigje të menjëhershme dhe efektive” në disa sektorë të provincës Khyber Pakhtunkhwa, duke pretenduar se disa poste dhe pajisje në anën afgane janë shkatërruar.
Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë rënë ndjeshëm muajt e fundit. Kalimet tokësore përgjatë kufirit 2,611 kilometra të gjatë – të njohur si “Durand Line”, janë mbyllur pjesërisht që nga përplasjet e përgjakshme në tetor, ku raportimet flasin për më shumë se 70 viktima nga të dyja palët.
Në qendër të përplasjes qëndrojnë akuzat e Pakistanit se Afganistani po strehon grupe të armatosura, përfshirë Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP), i njohur si Talibanët e Pakistanit. Ky grup, i krijuar në vitin 2007, është i ndarë nga Talibanët afganë, por ndan lidhje ideologjike dhe historike me ta.
Sipas analizës së Pearl Pandya nga organizata monitoruese Armed Conflict Location & Event Data (ACLED), kufiri poroz mes dy vendeve u jep militantëve hapësirë për t’u tërhequr dhe riorganizuar. Ajo thekson se viti 2025 ka qenë ndër më të dhunshmit në më shumë se një dekadë, me mbi 1,000 incidente të dhunshme të regjistruara që lidhen me TTP-në në territorin pakistanez.
Autoritetet talebane në Kabul i mohojnë akuzat se strehojnë TTP-në, por analistët paralajmërojnë se, në mungesë të një goditjeje serioze ndaj grupit, përshkallëzimi i mëtejshëm duket i pashmangshëm.
Me deklarata të forta nga të dyja palët dhe pretendime të kundërta për viktima e poste të kapura, situata në kufirin Afganistan–Pakistan mbetet e tensionuar dhe e paqartë. Deri më tani nuk ka konfirmim të pavarur për shifrat e raportuara, ndërsa frika për një përshkallëzim më të gjerë në rajon po rritet.
