Vala rekord e të nxehtit që po përfshin Evropën Perëndimore ka shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike në Francë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për temperatura ekstreme në ditët në vijim.

Në Francë, rreth 68,000 shtëpi në rajonin e Bretanjës kanë mbetur pa energji elektrike të mërkurën, si pasojë e mbingarkesës në rrjet gjatë temperaturave shumë të larta. Sipas autoriteteve, rikthimi i plotë i furnizimit me energji pritet jo më herët se mbrëmja.

Shumica e vendit është vendosur nën alarm të kuq për vapë, ndërsa temperaturat në disa zona jugperëndimore kanë arritur deri në 43°C. Në qytetin Pissos, në rajonin Landes, janë regjistruar madje deri në 44.3°C, një nga vlerat më ekstreme të kësaj vale të nxehti.

Shërbimi meteorologjik Météo-France ka njoftuar se vendi ka regjistruar ditën dhe natën më të nxehtë ndonjëherë, me temperatura mesatare rekord që kanë thyer të gjitha shifrat e mëparshme.

Vala e të nxehtit është përhapur edhe në vende të tjera të Evropës Perëndimore, përfshirë Holandë dhe Mbretëria e Bashkuar, ku janë lëshuar alarme për temperatura ekstreme. Në disa zona të Britanisë pritet që temperaturat të arrijnë deri në 38°C.

Autoritetet franceze raportojnë gjithashtu se të paktën 40 persona kanë humbur jetën në incidente të lidhura me të nxehtin që nga java e kaluar, ndërsa alarmet e kuqe janë zgjeruar në dhjetëra rajone të vendit.

Sipas parashikimeve meteorologjike, vala e të nxehtit pritet të vijojë edhe në ditët e ardhshme, duke u zhvendosur gradualisht drejt Evropës Lindore.