Pesë personat e arrestuar pranë një baze ushtarake britanike do të lirohen me kusht, ndërsa hetimi i policisë kundër terrorizmit ndaj tyre do të vazhdojë.

Ndihmës-komisioneri i policisë britanike kundër terrorizmit, Laurence Taylor, deklaroi se pesë të dyshuarit janë marrë në pyetje dhe se autoritetet kanë zhvilluar hetime të zgjeruara gjatë ditëve të fundit.

“Pas marrjes në pyetje dhe hetimeve të gjera, mund të konfirmoj se pesë burrat e arrestuar do të lirohen këtë pasdite me kusht nga policia”, tha Taylor.

Sipas tij, vendimi për lirimin nuk do të thotë se çështja është mbyllur. Pesë të dyshuarit do të jenë subjekt i kushteve të rrepta, të cilat do të kufizojnë lëvizjet dhe kontaktet e tyre.

Taylor theksoi se të pestë mbeten nën hetim dhe se autoritetet po shqyrtojnë ende disa pista të ndryshme për të përcaktuar rrethanat dhe qëllimin e veprimeve për të cilat dyshohen.

Hetimet nga njësitë kundër terrorizmit pritet të vijojnë edhe pas lirimit të tyre me kusht.