Autoritetet çeke kanë liruar peshkopin ortodoks rus Hilarion, i njohur edhe me emrin e tij laik Grigory Alfeyev, pasi ai u ndalua nën dyshimet për posedim droge në qytetin Karlovy Vary, një prej destinacioneve më të njohura turistike në perëndim të Çekisë.
Sipas policisë çeke, automjeti i peshkopit u ndalua pas një informacioni anonim që sinjalizonte transport të substancave narkotike. Gjatë kontrollit, oficerët zbuluan në bagazhin e makinës disa enë që përmbanin një substancë të bardhë, e cila pas analizave rezultoi të ishte narkotik i ndaluar, shkruan Guardian.
Megjithatë, Hilarion u lirua pa akuza dhe reagoi menjëherë përmes një postimi në Telegram, duke deklaruar se ishte viktimë e një kurthi të organizuar.
“Zbulimi i një substance të ndaluar nuk i jep përgjigje pyetjes kryesore – si përfunduan këto sende në automjetin tim”, deklaroi ai.
60-vjeçari drejton komunitetin e Kishës Ortodokse Ruse në Karlovy Vary, qytet ku jeton një diasporë e konsiderueshme ruse.
Ngjarja shkaktoi reagime të forta nga Moska. Ministria e Jashtme ruse e cilësoi arrestimin si një “provokim të qëllimshëm dhe të orkestruar”, ndërsa Kisha Ortodokse Ruse e përshkroi incidentin si një “inskenim klasik”. Rusia njoftoi gjithashtu se kishte thirrur në Ministrinë e Jashtme të ngarkuarin me punë të Çekisë në Moskë për të protestuar zyrtarisht ndaj ndalimit të peshkopit.
Hilarion konsiderohej dikur një nga figurat më të afërta të Patriarkut Kirill, kreut të fuqishëm të Kishës Ortodokse Ruse dhe aleat i presidentit Vladimir Putin. Ai drejtoi për vite me radhë departamentin për marrëdhëniet e jashtme të kishës, duke luajtur praktikisht rolin e “ministrit të jashtëm” të saj.
Megjithatë, pozita e tij në hierarkinë kishtare u dobësua pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Ndryshe nga shumë klerikë të lartë që mbështetën publikisht luftën, Hilarion nuk mori një qëndrim të hapur as pro dhe as kundër konfliktit, çka çoi në largimin e tij nga postet kryesore dhe transferimin jashtë Rusisë.
Në fund të vitit 2024, ai u përfshi edhe në polemika të tjera pasi një ish-ndihmës e akuzoi për ngacmim seksual, pretendime që peshkopi i ka mohuar vazhdimisht. Gjithashtu, media të ndryshme raportuan mbi stilin e tij luksoz të jetesës, përfshirë pushime me jahte, udhëtime për ski dhe prona pranë Budapestit. Hilarion ka deklaruar se të ardhurat e tij vijnë nga honoraret e librave dhe filmave që ka realizuar.
Pas largimit nga dioqeza hungareze, ai u caktua në Kishën e Shën Pjetrit dhe Palit në Karlovy Vary, ku shërbente deri në incidentin e fundit me autoritetet çeke.
