Më 7 maj, 135 kardinalë do të mbyllen në Kapelën Sistine për të zgjedhur Papën e ri. Por përtej votimit, një aspekt më pak i njohur i këtij procesi të shekullt është ushqimi i kontrolluar me përpikëri për të ruajtur sekretin absolut të konklavës.
Në ditët e fundit para konklavës, shumë nga kardinalët janë parë në restorantet më të njohura pranë Vatikanit, si Al Passetto di Borgo vetëm 200 metra nga Shën Pjetri ku, sipas mediave italiane, kardinali amerikan Donald Wuerl preferon lazanjën, ndërsa italiani Francesco Coccopalmerio zgjedh kallamarët e pjekur.
Kjo është një traditë tashmë e njohur: përpara se të izolohen, kardinalët përpiqen të shijojnë edhe një herë lirinë, sepse sapo të hyjnë në konklavë, çdo kontakt me botën jashtë ndalohet plotësisht. Asnjë telefon, asnjë mesazh, asnjë komunikim përveç tymit të bardhë ose të zi që del nga oxhaku i Sistinës.
Por në një mjedis kaq të mbyllur, ushqimi përbën një rrezik të veçantë. Që nga Mesjeta, janë dokumentuar raste kur përmes ushqimit janë tentuar mesazhe të fshehta që nga ravioli i mbushur me letra, tek pecetat që mund të përdoreshin për t’u dërguar sinjale jashtë.
Për këtë arsye, që në shekullin XIII, Papa Gregori X vendosi rregulla të rrepta për konklavat: izolim total dhe kontroll të ashpër të ushqimit. Nëse nuk arrihej marrëveshja për zgjedhjen e Papës brenda disa ditëve, kardinalëve u reduktohej ushqimi deri në bukë dhe ujë. Shekull më vonë, rregullat u zbutën, por mbikëqyrja mbeti po aq e rreptë.
Shembulli më i famshëm është ai i kuzhinierit të Papës në Rilindje, Bartolomeo Scappi, i cili përshkruan në librin e tij të vitit 1570 se si ushqimi përgatitej nën vëzhgim të gardës, kontrollohej për helm apo mesazhe dhe dorëzohej përmes një “rrote” në mur që lidhte kuzhinën me ambientet e kardinalëve. Asnjë pjatë e mbyllur, asnjë shishe jo-transparente, asnjë pecetë pa u hapur.
Sot, teknologjia ka ndryshuar gjithçka por kontrolli ka mbetur. Në konklavën që po afrohet, ushqimi do të përgatitet nga motrat murgesha të Domus Sanctae Marthae, rezidenca ku qëndrojnë kardinalët gjatë votimit. Menyja është modeste: minestrone, makarona, mish qengji në hell dhe perime të ziera. E gjitha pjesë e imazhit të thjeshtësisë që Vatikani synon të transmetojë në epokën e Papa Françeskut.
Në filmin Conclave (2024), shumë nga ngjarjet zhvillohen jo në dhomën e votimit, por në mensën e konklavës aty ku vaktet shërbejnë si skena të tensionit dhe nënkuptimeve. Sepse edhe pse kardinalët nuk flasin shumë gjatë votimit, ajo që hanë, si hanë dhe me kë hanë, tregon më shumë se sa mendohet.
Ndërsa Vatikani është duke u kontrolluar për pajisje elektronike të fshehura dhe komunikimet janë të ndërprera, vetë kardinalët po bëjnë përgatitjet e fundit ndoshta duke menduar se ndonjëri prej tyre do të dalë nga izolimi si Papa i ri i 1.4 miliardë katolikëve në botë.//BBC