Irani po kalon thatësirën më të rëndë në një shekull, dhe në kryeqytetin Teheran – ku jetojnë rreth 10 milionë njerëz – autoritetet kanë nisur ndërprerjet e rregullta të ujit gjatë natës.

Mungesa pothuajse e plotë e reshjeve këtë pranverë dhe verë ka sjellë një rënie dramatike të niveleve të rezervuarëve.

Presidenti Masoud Pezeshkian paralajmëroi se, nëse deri në fund të vitit nuk bie shi, Qeveria do të detyrohet të evakuojë Teheranin.


Burimi kryesor i ujit të pijshëm të qytetit, rezervuari Amir Kabir, është thuajse i tharë – aktualisht mbart vetëm 8% të kapacitetit të tij, mjaftueshëm për më pak se dy javë furnizim.

Meteorologët e përshkruajnë situatën si të paprecedentë në 100 vitet e fundit, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për pasoja të rënda sociale, ekonomike dhe humanitare nëse kriza vazhdon.