Qeveria e Spanjës ka prezantuar një plan prej 9 miliardë eurosh për tranzicionin energjetik, me fokus kryesor përmirësimin e banesave dhe zhvillimin e transportit publik.

Sipas kryeministrit Pedro Sanchez, qëllimi është që ndryshimet në sektorin e energjisë të mos përfitojnë vetëm ata që kanë mundësi financiare, por të jenë të aksesueshme për të gjithë qytetarët.

Plani parashikon që rreth 4.7 miliardë euro të shkojnë për rikonstruksionin dhe përmirësimin energjetik të shtëpive, ndërsa 4.3 miliardë euro do të investohen në transportin publik.

Një nga masat kryesore është edhe krijimi i një aboneje që do të ulë ndjeshëm ose pothuajse do të falë përdorimin e transportit publik.

Qeveria synon që projekti të bashkëfinancohet edhe nga Bashkimi Europian, ndërsa Spanja po përballet me pasoja të rënda nga ndryshimet klimatike, si valë të shpeshta të të nxehtit dhe reshje ekstreme.

Miratimi i planit kërkon mbështetjen e parlamentit, pasi qeveria nuk ka shumicën e plotë, ndaj është i nevojshëm votimi i grupeve të tjera politike.