Bota po hyn në një fazë të re, më të rrezikshme të krizës – Ekspertët e Kombeve të Bashkuara paralajmërojnë se njerëzimi ka hyrë në një gjendje “falimentimi global të ujit”, në të cilën sistemet kryesore të ujit janë varfëruar përgjithmonë dhe nuk mund të rikuperohen më.

Konkretisht, një raport i ri nga Universiteti i Kombeve të Bashkuara (UNU) paralajmëron se dekada të tëra shpyllëzimi, ndotjeje, degradimi të tokës, mbindarjeje të ujit dhe pakësimi kronik i ujërave nëntokësore – të përkeqësuara më tej nga ngrohja globale – kanë shkaktuar “dëme të pakthyeshme” në furnizimet planetare me ujë dhe aftësinë e tyre për t’u rikuperuar.

Raporti pohon se terma të tillë si “stresi i ujit” dhe “kriza e ujit” nuk e pasqyrojnë më me saktësi realitetin e ashpër të sotëm, i cili po nxit “brishtësinë, zhvendosjen dhe konfliktin” në të gjithë botën.

Çfarë do të thotë “falimentimi i ujit”?

Raporti i UNU-së e përcakton falimentimin e ujit si “shfrytëzim i tepërt i vazhdueshëm i ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore në krahasim me prurjet e rinovueshme dhe nivelet e sigurta të varfërimit”. Ky term do të thotë gjithashtu “humbje e pakthyeshme ose financiarisht e parealizueshme e kapitalit natyror të lidhur me ujin”.

Kjo është e ndryshme nga stresi ujor, i cili tregon situata me presion të lartë që janë ende të kthyeshme, ose kriza ujore, e cila përdoret për të përshkruar goditjet akute që mund të kapërcehen.

Ndërkohë që jo të gjitha pellgjet dhe vendet janë në gjendje falimentimi të ujit, autori kryesor i raportit, Kave Madani, drejtor i Qendrës së OKB-së për Kërkime mbi Ujin, thotë se një numër i mjaftueshëm i sistemeve kryesore i kanë kaluar tashmë këto pragje.

“Këto sisteme janë të ndërlidhura përmes tregtisë, migrimit, reagimeve klimatike dhe varësive gjeopolitike, kështu që peizazhi global i rrezikut tani ka ndryshuar rrënjësisht”, shton ai.

Falimentimi i ujit nuk ka të bëjë me atë se sa i lagësht ose i thatë duket një vend – ka të bëjë me ekuilibrin, llogaritjen dhe qëndrueshmërinë. Edhe rajonet që përballen me përmbytje çdo vit mund të jenë të falimentuara nga uji nëse konsumojnë më shumë sesa “të ardhurat” e tyre vjetore të rinovueshme të ujit.

Raporti argumenton se falimentimi i ujit duhet të shihet nga një perspektivë globale, pasi pasojat e tij transmetohen.

“Bujqësia përbën pjesën më të madhe të konsumit të ujërave të ëmbla dhe sistemet ushqimore janë të lidhura ngushtë përmes tregtisë dhe çmimeve. Kur mungesa e ujit dëmton bujqësinë në një rajon, efektet përhapen në tregjet globale, stabilitetin politik dhe sigurinë ushqimore diku tjetër. Kjo e bën falimentimin e ujit jo një seri krizash lokale të izoluara, por një rrezik të përbashkët global”, thotë Madani.