Parlamenti gjerman miratoi të martën një plan për të lehtësuar frenimin e borxhit me dy të tretat e shumicës, duke i lejuar qeverisë së ardhshme të liderit kristiandemokrat Friedrich Merz të marrë hua për mbrojtjen dhe infrastrukturën. Paketa e amendamenteve kushtetuese u mbështet nga kristiandemokratët, socialdemokratët dhe të gjelbërt, me mesazhin se Gjermania duhet të marrë një rol më të fortë në një moment kritik për Evropën. Gjermania po riarmatoset për luftë me Rusinë, komenton “Forbes”.

Roli i mbrojtësit

Pasi SHBA i ktheu shpinën Evropës, Gjermania, si vendi më i madh dhe më i fuqishëm në qendër të kontinentit, duhet të paktën pjesërisht të marrë përsipër funksionin e ish-fuqisë mbrojtëse, thekson në një editorial “Der Spiegel”. Kjo kërkon investime të mëdha financiare. Të jetosh në liri dhe siguri kërkon sakrificë: për sa kohë që ka të bëjë vetëm me paratë, askush nuk duhet të ketë arsye të ankohet, thekson “Der Spiegel”. Berlini aktualisht shpenzon rreth 68 miliardë dollarë në vit për ushtrinë e tij. Fondi i ri ka të ngjarë të financojë investime në AI, ndërtim anijesh, automjete të blinduara, raketa dhe mbrojtje ajrore, luftë elektronike dhe satelitë, shkruan një analist ushtarak për “Forbes”.

Sinjal për armiqtë

Pasi paketa të miratohet nga Bundesrat ditën e sotme, qeveria do të lejohet të marrë hua për të gjitha shpenzimet e mbrojtjes dhe infrastrukturës që tejkalojnë 1 për qind të PBB-së. Huazimi është pjesa e lehtë, për Friedrich Merz puna e vërtetë sapo ka filluar, thekson Clemens Fuest , kreu i Institutit Mynih Ifo, në një intervistë me “Der Spiegel”. Fuest, së bashku me tre ekonomistë të tjerë, shkroi dokumentin që përbënte bazën e propozimit të miratuar në Bundestag. “Ky është vendimi i duhur duke pasur parasysh kërcënimet e mëdha gjeopolitike. Gjermania po merr përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e saj. Ky është një sinjal i rëndësishëm për aleatët tanë, por edhe për Vladimir Putin dhe Donald Trump,” thekson ekonomisti Fuest.

Përsëritja e historisë

Ligjvënësit votuan të martën për krijimin e një fondi të ri prej 500 miliardë eurosh për investimet në infrastrukturë gjatë 12 viteve të ardhshme. Të martën, Bundestagu lejoi investime të mëdha në Bundeswehr dhe mbrojtjen civile, por edhe në ura, shkolla, spitale dhe kopshte. Pa aftësinë për të marrë hua, kryeministri i mëparshëm Olaf Scholz nuk mundi të përmbushte kërkesat e anëtarëve të koalicionit tre anëtarësh Semafor dhe qeveria ra pikërisht për shkak të refuzimit të saj për të hequr frenimin e borxhit. FDP ishte kundër saj dhe votuesit e ndëshkuan duke mos kaluar pragun elektoral prej pesë për qind, kështu që u hoq përsëri nga Bundestag. Frika nga borxhi në Gjermani është e madhe. Borxhi i lartë kombëtar ndihmoi në nxitjen e hiperinflacionit nën qeverinë e Weimarit në vitet 1920, gjë që ndihmoi ngritjen e Hitlerit, kujton “New York Times”. Për shkak të së kaluarës së saj naziste, Gjermania ka shpenzuar pak për mbrojtjen për dekada, duke u mbështetur në Shtetet e Bashkuara, të cilat ende kanë 35,000 trupa në Gjermani. Edhe zyrtarët në bankën qendrore të Gjermanisë, Bundesbank, kanë bërë thirrje për ndryshime në frenimin e borxhit për të liruar para për investimet e qeverisë për të nxitur rritjen. Është shumë e mundur që borxhi federal, i cili aktualisht është 1.7 trilion euro, të dyfishohet në dekadën e ardhshme, vlerëson “Der Spiegel”.

Qeveria e re

Javën e ardhshme, të martën, më 25 mars, do të konstituohet Bundestagu i ri. Merz nxitoi votimin në legjislaturën e vjetër, sepse në të renë, AfD dhe e majta do të kenë më shumë se një të tretën e votave, që mjafton për të bllokuar ndryshimet kushtetuese. Negociatat e koalicionit mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve janë ende në vazhdim: kreu i CDU-së Friedrich Merz dëshiron që një qeveri e re të formohet deri në Pashkë, më shumë se 50 ditë pas zgjedhjeve. Koalicionit Semafor iu deshën 73 ditë për ta bërë këtë në 2021, madje 171 ditë pas zgjedhjeve të 2017-ës.