Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do të ishte i gatshëm të lejonte largimin e sigurt të drejtuesve të Hamasit, me kusht që ata të përfundojnë luftën dhe të lirojnë të gjithë pengjet.
Në një intervistë për Fox News, në prag të takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Netanyahu theksoi:
“Detajet ende duhet të sqarohen, por nëse drejtuesit e Hamasit përfundojnë luftën dhe lirojnë pengjet, do t’u lejojmë të largohen. Kjo është pjesë e diskutimeve që po zhvillojmë aktualisht.”
Ai gjithashtu përjashtoi çdo rol të Autoritetit Palestinez në administrimin e Gazës pas luftës, duke e cilësuar atë një partner të pabesueshëm.
Në këtë kontekst, Netanyahu konfirmoi se Izraeli po bashkëpunon me ekipin e Trump për një plan të detajuar 21-pikësh, i cili synon përfundimin e konfliktit dhe ndërtimin e një “të ardhmeje të re” për Gazën.
Sipas Times of Israel, dokumenti u hartua nga i dërguari amerikan Steve Witkoff, me ndihmën e ish-kryeministrit britanik Tony Blair dhe dhëndrit të Trump, Jared Kushner. Ai është prezantuar tashmë në disa vende arabe dhe myslimane gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ky plan përfaqëson një ndryshim të dukshëm nga deklaratat e mëparshme të Trump, i cili kishte përmendur madje edhe “zhvendosjen” e popullsisë së Gazës. Tashmë fokusi është që palestinezët të mbeten në territor, Gaza të rindërtohet dhe të krijohet një proces politik afatgjatë.
Pikat kryesore të planit:
Çmilitarizimi i Gazës dhe eliminimi i infrastrukturës së Hamasit.
Përfundim i menjëhershëm i luftës dhe tërheqje graduale e forcave izraelite.
Lirimi i të gjithë pengjeve brenda 48 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjes.
Rindërtim i Gazës me plan ekonomik për punësimin e të rinjve.
Qeverisje e përkohshme nga teknokratë palestinezë, nën mbikëqyrje ndërkombëtare.
Ndihma humanitare me të paktën 600 kamionë në ditë, të shpërndara nga organizata ndërkombëtare.
Amnisti për anëtarët e Hamasit që pranojnë paqen dhe largim të sigurt për ata që duan të ikin.
Forcë ndërkombëtare stabilizimi për sigurinë dhe trajnimin e policisë palestineze.
Përjashtimi i Hamasit nga pushteti dhe garanci që Gaza nuk do të përbëjë më rrezik për rajonin.
Perspektivë për një shtet palestinez pas reformimit të Autoritetit Palestinez.
Netanyahu e përshkroi planin si një mundësi për “të çliruar pengjet, për të rrëzuar Hamasin dhe për të ndërtuar një të ardhme të re për Gazën, Izraelin dhe rajonin”.