Banorët palestinezë në Bregun Perëndimor dhe në Gaza kanë reaguar me skepticizëm ndaj planit të paqes të propozuar nga Shtëpia e Bardhë, i cili parashikon një rrugë drejt shtetësisë palestineze, por vetëm pasi të rindërtohet Gaza dhe të reformohet Autoriteti Palestinez.

Plani thotë se “kushtet më në fund mund të jenë në vend për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”. Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do të “rezistojë me forcë” ndaj njohjes së shtetit palestinez.

Ibrahim Arafati, një nga banorët palestinezë, i tha Reuters se plani “shfuqizon shtetin palestinez”, duke e quajtur atë “një formë të re kolonializmi”.

Nasr Al-Husseini, i intervistuar nga Reuters në Bregun Perëndimor, tha:

“Jam i befasuar që edhe pse mbi 150 vende kanë njohur të drejtën palestineze për ekzistencë, takimi i Trump dhe Netanyahut nuk e trajtoi fare çështjen palestineze.”

Ndërkohë, Sadeq Kamil theksoi mungesën e veprimeve konkrete:

“Njerëzit nuk duan iluzione apo bojë në letër. Duan veprime.”

Plani i Trump kërkon lirimin brenda 72 orëve të 20 pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi, si dhe dorëzimin e mbetjeve mortore në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë. Aktualisht, 48 pengje mbahen ende në Gaza, prej të cilëve 20 besohet se janë gjallë.

Yehuda Cohen, babai i një pengu izraelit, e quajti planin “përparim” por shtoi se familjet e pengjeve ndihen të “harruara” dhe se suksesi varet nga Hamasi dhe nga qeveria e djathtë e Netanyahut.

Banorët në Gaza ndihen të ndarë mes shpresës për fundin e luftës dhe frikës se situata do të përkeqësohet.

Një vajzë 23-vjeçare tha: “Mendova se kjo do të thoshte armëpushim menjëherë, por e kuptova se ishte vetëm një propozim.”

Disa palestinezë të zhvendosur paralajmëruan se plani favorizon Izraelin dhe Trumpin, duke frikësuar se lirimi i pengjeve izraelite do të pasohet nga vazhdimi i pushtimit të Gazës.

Në Izrael, disa e kanë cilësuar planin “një ditë të madhe”. Avokati Erez Goldman tha se ishte “shumë, shumë i lumtur” me propozimin, ndërsa Joseph Scutts theksoi se Hamasi “do të duhet” ta pranojë marrëveshjen, megjithëse nuk ka besim tek ai.

Susan Kennedy u shpreh se plani ka ardhur “shumë vonë”, pas shumë viktimave nga të dyja palët, por e cilësoi “veprim të shkëlqyer”.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, gjatë një vizite në Beograd, tha se “paqa në Gaza tani varet nga Hamasi” dhe përsëriti qëndrimin për një Gazë “të demilitarizuar dhe të deradikalizuar”.

Ndërkohë, Netanyahu postoi një video në Telegram duke theksuar se “tërheqja e IDF-së nga Gaza nuk do të ndodhë” dhe falënderoi Trumpin për mbështetjen e plotë ndaj Izraelit./BBC