Sipas burimeve të ZN.UA, është siguruar varianti më i fundit i planit shumë të diskutuar të paqes, një dokument i ndarë në katër kapituj, i cili përmbledh marrëveshjen që, sipas raportimeve, SHBA po promovon si zgjidhje të mundshme për t’i dhënë fund luftës. Plani, në thelb, parashikon që Ukraina të bëjë lëshime të thella territoriale dhe strategjike, ndërsa në këmbim ofrohen garanci sigurie jo plotësisht të qarta dhe një proces i përshpejtuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Pika qendrore e propozimit është ngrirja e konfliktit dhe njohja de facto e kontrollit rus mbi disa zona të rëndësishme. Dokumenti sugjeron që Krimea, Luhansku dhe Donetsku të mbeten nën administrimin aktual rus, ndërsa ndryshimet e mundshme të statusit të trajtohen ekskluzivisht nëpërmjet negociatave diplomatike, duke përjashtuar rikthimin e tyre me forcë.
Plani parashikon gjithashtu krijimin e një zone të demilitarizuar në Donetsk, që përbën rreth një të tretën e territorit të rajonit, ku palët do të tërhiqnin trupat e tyre përtej vijës së përcaktuar. Ndërkohë, vijat aktuale të frontit në Zaporizhzhia dhe Kherson do të ngrihen, duke konsoliduar kontrollin rus në këto zona. Rusia, sipas dokumentit, do të tërhiqte forcat nga pjesët e tjera të territorit ukrainas, përveç pesë rajoneve të përmendura.
Një ndër elementet më të debatueshme ka të bëjë me arkitekturën e sigurisë në Evropë. Plani ndalon çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s, duke e përjashtuar qartazi anëtarësimin e Ukrainës. Për më tepër, praninë e trupave të aleancës në territorin ukrainas nuk do të lejohej. Në këtë kuadër, ushtria ukrainase do të kufizohej në jo më shumë se 800 mijë trupa, çka përbën reduktim të konsiderueshëm të kapaciteteve të saj mbrojtëse.
Në këmbim, SHBA-të ofrojnë garanci sigurie që përshkruhen si “të ngjashme” me nenin 5 të NATO-s, por pa fuqi të plotë detyruese ligjore, duke lënë hapur shumë pikëpyetje mbi efektivitetin e tyre real. Dokumenti trajton edhe çështjen e centralit bërthamor të Zaporizhzhias, i cili do të kthehej në funksion nën administrimin e një operatori amerikan, me Ukrainën që do të siguronte gjysmën e energjisë së prodhuar.
Plani prek edhe aspektin politik, duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Ukrainë sa më shpejt pas nënshkrimit të marrëveshjes. Një tjetër çështje e ndjeshme është ajo ekonomike: propozimi parashikon lirimin e pjesshëm të aseteve ruse të ngrira në Perëndim. Një pjesë e fondeve do të përdoreshin për rindërtimin e Ukrainës, ndërsa pjesa tjetër mund të destinohej për projekte të përbashkëta SHBA–Rusi, një ide që pritet të nxisë debate të fuqishme në Washington dhe kryeqytetet evropiane.
