Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka refuzuar një propozim për mbajtjen e një minute heshtje në nder të aktivistit konservator amerikan, Charlie Kirk, i cili u vra të mërkurën gjatë një ligjërate në Universitetin e Utahut në SHBA.
Propozimi u paraqit nga eurodeputeti i grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), Charlie Weimers, si një gjest simbolik në mbrojtje të lirisë së fjalës. Kirk, 31 vjeç, ishte i njohur për qëndrimet e tij të djathta dhe mbështetjen ndaj ish-Presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas raportimeve të “Politico”, kërkesa synonte të dërgonte një mesazh të qartë se “e drejta e lirisë së fjalës nuk mund të shfuqizohet”, por ajo u refuzua nga Metsola me argumentin se rregullorja e Parlamentit Evropian parashikon që minutat e heshtjes mund të shpallen vetëm nga Presidenti në hapje të seancave plenare, dhe vetëm nëse kërkesa vjen nga një grup i tërë politik.
Në mungesë të miratimit për një minutë heshtje zyrtare, eurodeputeti Weimers përdori kohën e tij të fjalës për të nderuar viktimën dhe u përpoq të kalonte pjesën tjetër të kohës në heshtje. Kjo u ndërpre nga nënkryetarja e Parlamentit, Katarina Barley, duke shkaktuar reagime të forta nga eurodeputetë të ekstremit të djathtë dhe të djathtës konservatore, të cilët protestuan me zhurmë në sallën plenare.
Reagimi i Barley-t u prit me duartrokitje nga eurodeputetët e qendrës së majtë dhe liberalët, ndërsa këto grupe refuzuan të bëjnë komente të mëtejshme, duke theksuar se vendimi ishte ekskluzivisht në kompetencën e Presidencës së Parlamentit.
RIP Charlie Kirk
— Charlie Weimers MEP 🇸🇪 (@weimers) September 11, 2025
Unfortunately, the lefty Chair did not allow us to honor his memory. @Europarl_EN pic.twitter.com/rGQHO0xcDs